Ylli i Chelseat, Cole Palmer, thuhet se dëshiron të kthehet në qytetin e tij të lindjes dhe do të ishte i hapur për një transferim veror te Manchester United, klubi që ai e mbështeti si fëmijë.
Palmer u largua nga Manchester City në vitin 2023 për në Londër, ku u bë një lojtar kyç për Chelsean, por duket se ai nuk është plotësisht i kënaqur me jetën në kryeqytet dhe do ta mirëpriste mundësinë për t’u kthyer në veri të Anglisë.
Që nga mbërritja nga City dy vjet e gjysmë më parë, Palmer ka shënuar 41 gola dhe ka shtuar 19 asiste për “Blutë”. Kjo e ka bërë reprezentuesin anglez praktikisht “të paprekshëm” te Chelsea dhe vetëm një ofertë jashtëzakonisht e lartë do ta bënte klubin londinez të merrte në konsideratë shitjen.
Sipas Transfermarkt, Palmer vlen 120 milionë euro. Megjithatë, sipas The Sun, 23-vjeçari vuan nga nostalgjia dhe do ta mirëpriste mundësinë për t’u bashkuar me Unitedin.
Palmer po lufton gjithashtu me një dëmtim të bezdisshëm në ijë, i cili e ka kufizuar atë në vetëm 12 paraqitje në ligë këtë sezon. Ai gjithashtu humbi ndeshjen e së dielës në të cilën Chelsea mundi Crystal Palace.