Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka bërë publik Informatorin zyrtar të Superligës së Kosovës për xhiron e 17-të, në të cilin janë përfshirë edhe masat disiplinore ndaj disa akterëve të kësaj xhiroje.
Sipas vendimit të Komisionit Disiplinor, KB Trepça është dënuar me 700 euro gjobë, bazuar në nenin 51.6 të Propozicioneve të Garave (PG), që ka të bëjë me animin dhe sjelljen josportive, përfshirë sharjet në kor të shikuesve ndaj ekipeve, gjyqtarëve, lojtarëve dhe personave zyrtarë.
Theksi kryesor i këtij informatori bie mbi trajnerin e KB Trepça, Adis Beçiragiq, i cili është ndëshkuar në disa baza disiplinore.
Ai është dënuar me 300 euro gjobë sipas nenit 52.4 të PG për gabim teknik për sjellje josportive, si dhe me 300 euro të tjera sipas nenit 52.3 të PG për gabim përjashtues.
Po ashtu, Beçiragiq është suspenduar për ndeshjen e radhës, ndaj yllit dhe nuk do të ketë të drejtë të udhëheqë ekipin.
Në listën e të dënuarve është përfshirë edhe lojtari i KB Trepça, Henry Seketorue, i cili është gjobitur me 100 euro, në përputhje me nenin 52.1 të PG, për gabim teknik për sjellje josportive.
FBK ka njoftuar se vendimet janë marrë nga Komisioni Disiplinor në përbërje të Armend Hamitit (kryetar), Ismet Feratit dhe Arianit Shalës (anëtarë), pas shqyrtimit të raporteve zyrtare të ndeshjeve të xhiros së 17-të.
Klubet janë të obliguara t’i respektojnë këto masa disiplinore.