February 10, 2026
1 min read

Për “faj” të trajnerit, Monaco gjobitet në çdo ndeshje të Ligue 1

Klubi i Ligue 1 në Francë, Monaco, që nga tetori kur emëroi Sebastien Pocognoli si trajner, po paguan 25 mijë euro gjobë për çdo ndeshje, sepse ai nuk ka diplomën që i lejon të drejtojë ekipin në elitën e futbollit francez.

Sipas gazetës franceze L’Equipe, 38-vjeçari Pocognoli, i cili u emërua trajner më 11 tetor në vend të Adi Hütter, nuk ka diplomën BEPF (Diploma Profesionale e Trajnerit të Futbollit) ose një diplomë të barasvlershme, që është e detyrueshme për të drejtuar një klub në Ligue 1.

Për këtë arsye, Monaco detyrohet të paguajë gjobë në çdo ndeshje. Deri tani, Monaco ka zhvilluar 17 ndeshje (14 në kampionat dhe 3 në kupë) me trajnerin belg dhe ka paguar gjithsej 425 mijë euro gjoba. Klubi nuk përballet me asnjë ndëshkim në UEFA Champions League.

Në raportim thuhet se drejtuesit e Monacos u përpoqën të shmangnin gjobën duke e vendosur në një ndeshje emrin e ndihmësit të Pocognolit, Damien Perrinelle, si trajner në listën zyrtare. Por edhe ai nuk e kishte diplomën e plotë (pasi ende ishte në proces trajnimi), prandaj Monaco sërish u gjobit. Perrinelle përfitoi nga kjo situatë dhe arriti që klubi t’i ngrit pagën.

Meqë vendosja e emrit të Perrinelle nuk ishte zgjidhje, Monaco nisi ta lë bosh rubrikën e trajnerit në listën zyrtare të ndeshjes. Nëse Pocognoli e përfundon sezonin, Monaco pritet të paguajë në total 750 mijë euro gjoba.

Nga klubi u bë një deklaratë ku thuhet se gjatë bisedimeve me trajnerin në tetor, kjo rregullore ishte marrë parasysh dhe se paga e tij ishte përshtatur në bazë të kësaj situate. Në Ligue 1, pas 21 ndeshjesh, Monaco ka 8 fitore, 4 barazime dhe 9 humbje, duke grumbulluar 28 pikë, dhe renditet në vendin e 10-të.

Në Champions League, Monaco zuri vendin e 21-të dhe ka kaluar në play-off për fazën e 1/8-ave, ku është shortuar me një tjetër ekip francez, Paris Saint-Germain. Ndërkohë, në Kupën e Francës, Monaco është eliminuar.

Latest from Blog

Go toTop