September 12, 2025
2 mins read

Raporti i QKSS: Dezinformimi po nxit radikalizimin etno-politik në Kosovë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar një raport të ri me titull Si e nxit dezinformimi radikalizimin etno-politik në Kosovë, i cili shqyrton mënyrat se si fushatat e koordinuara të dezinformimit thellojnë ndarjet etnike, nxisin mosbesimin dhe pengojnë pajtimin mes komuniteteve në Kosovë.

Raporti, i autoruar nga Dr. Ramadan Ilazi, Gentiana Paçarizi dhe Pia-Katharina Pallasch, me kontribut të Denora Gashit, siç thuhet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të KCSS për të kuptuar dhe kundërshtuar rrjedhat e dëmshme të informacionit që kërcënojnë reziliencën demokratike dhe bashkëjetesën ndëretnike në Republikën e Kosovës.

“Dezinformimi në Kosovë nuk është një fenomen i rastësishëm i gazetarisë së dobët apo i nivelit të ulët të edukimit mediatik. Ai është i planifikuar dhe i instrumentalizuar, shpesh nga aktorë të jashtëm por edhe nga elitat politike vendore, me synim ndarjen e komuniteteve dhe minimin e besimit në institucione,” tha Mentor Vrajolli, Drejtor Ekzekutiv i QKSS. “Ky raport synon të rrisë ndërgjegjësimin e politikëbërësve, shoqërisë civile dhe publikut për seriozitetin e këtij problemi dhe të nxisë një reagim të koordinuar”.

Hulumtimi tregon se platforma si Telegram janë shndërruar në qendra për narrativa ekstremiste dhe nacionaliste, ndërkohë që si mediat serbishtfolëse ashtu edhe ato shqipfolëse, herë pas here kontribuojnë në kornizimin e ngjarjeve në mënyra që e thellojnë mosbesimin ndëretnik. Sipas gjetjeve, dezinformimi shpërthen gjatë momenteve politikisht të ndjeshme, duke i kthyer mosmarrëveshjet lokale në kriza të perceptuara ekzistenciale.

“Analiza jonë tregon se dezinformimi ushqehet nga marrëdhëniet e brishta ndëretnike, duke shfrytëzuar ankesat nga e kaluara e pa-trajtuar dhe duke shtrembëruar incidentet e përditshme në provokime etnike. Ky dinamikë po e gërryen kohezionin tashmë të brishtë shoqëror në Republikën e Kosovës dhe rrezikon të nxisë radikalizimin etno-politik në shoqëri,” tha Ramadan Ilazi, Përgjegjës per Hulumtim në QKSS dhe bashkautor i raportit”, thuhet në raport.

Ai shtoi gjithashtu se: “Dezinformimi nuk është i ri dhe shoqëria kosovare ka kohë që është ekspozuar ndaj fushatave të dizajnuara për të shtrembëruar faktet dhe polarizuar opinionin. Narrativat kanë synuar çështje të ndjeshme si marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe (AKS) apo marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, të dyja të paraqitura në mënyra që e gërryenin besimin në institucione, në normat demokratike dhe në procesin e integrimit evropian të Kosovës. Së fundmi, edhe sulmet ndaj normave demokratike të Kosovës nga zyrtarë të lartë publikë kanë krijuar një mjedis mundësues për aktorët e huaj dashakeqës, veçanërisht Rusinë, të shfrytëzojnë dhe të kornizojnë ngjarjet në mënyra që u shërbejnë interesave të tyre. Ky raport tregon se si këto dinamika ushqejnë radikalizimin etno-politik dhe minojnë përpjekjet e pajtimit dhe integrimin euroatlantik të vendit”.

Raporti bën thirrje për ndryshime në strategjinë e sigurisë së Kosovës, përgjigje më të fuqishme institucionale, iniciativa për verifikim të fakteve ndër-etnike dhe investime në edukimin mediatik si pjesë e një strategjie afatgjatë për të mbrojtur karakterin demokratik dhe shumetnik të Kosovës.

Latest from Blog

Go toTop