September 16, 2025
1 min read

Munguan në seancë, do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj Sveçlës, Pacolli-Dalipit dhe Zybës

Në mungesë të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe deputetëve të Vetëvendosjes Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, ka dështuar të mbahet seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku të njëjtit bashkë me ish-deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku, akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës.

Gjyqtari Sabit Sadikaj tha se të akuzuarit janë ftuar sipas procesverbalit të seancës së kaluar dhe nuk ka ndonjë kërkesë për shtyrje të seancës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Andaj, gjyqtari bëri të ditur se në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme nuk mbahet, ndërkaq ndaj Sveçlës, Pacolli-Dalipit dhe Zybës, do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.

Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Sipas aktakuzës, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.

Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.

Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

Latest from Blog

Go toTop