Një person ka mbetur i lënduar rëndë si pasojë e një aksidenti mes dy veturave, që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Makovc të Prishtinës.
Lidhur me rastin është deklaruar edhe policia.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, deklaroi se personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor.
“Sot rreth orës 08:00 kemi pranuar informatën se në fshatin Makoc të Prishtinës, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete në lëvizje. Si pasojë e aksidentit është lënduar një person i cili është dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”, deklaroi Ahmeti.
Rreth gjendjes shëndetësore të viktimës (personit të lënduar), detaje kanë dhënë nga QKUK.
Drejtori i Emergjencës Naser Syla, deklaroi se gjendja e tij është e rëndë.
“Po, është duke u trajtuar tek ne. Gjendja e rëndë dhe jo stabile. Po kryhen ekzaminimet e nevojshme. Disa duhet të përsëriten dhe më pas transferohet në Mjekimin Intensiv Qendror”, deklaroi ai.
Syla tha se në Qendrën Emergjente u trajtuan edhe tre persona të tjerë, por që pastaj janë lëshuar në shtëpi.