Mbrëmjen e së hënës, në fshatin Balaj të komunës së Ferizajt, një person rreth 40-vjeç, identifikuar si Brahim Ramusa, ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Sipas burimeve të afërta me rastin, i dyshuari për vrasjen është një burrë rreth të pesëdhjetave, me inicialet B.R., i cili dyshohet të jetë djali i axhës së viktimës.
Gazetarja Amantina Hasani, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, ka dhënë detaje shtesë rreth ngjarjes.
“Policia është ende prezente pranë shtëpisë së viktimës, pasi të dy, viktima dhe i dyshuari, janë kushërinj të afërt, djem të axhës”, tha Hasani.
Sipas saj, burime jozyrtare kanë bërë me dije se viktima dhe i dyshuari kanë pasur mosmarrëveshje të kahershme, që dyshohet të kenë lidhje me çështje pronësore.
“Ngjarja nuk ka ndodhur brenda shtëpisë, por pak larg saj, në afërsi të një are. I dyshuari dyshohet se ka shtënë pesë herë me armë zjarri në drejtim të viktimës, katër nga të cilat rezultuan fatale”, shtoi Hasani.