March 12, 2026
1 min read

Gjykata Kushtetuese bashkon kërkesat e Kurtit dhe deputetëve të LVV-së për dekretin e presidentes

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të bashkojë në një procedurë të vetme kërkesën e kryeministrit Albin Kurti dhe atë të 30 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani.

Sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula, bëri të ditur se të dyja kërkesat do të shqyrtohen së bashku, pasi kanë të njëjtin objekt shqyrtimi.

“Kërkesa e kryeministrit të Republikës së Kosovës lidhur me dekretin e presidentes është bashkuar me kërkesën e dorëzuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, për shkak të objektit të njëjtë të çështjes”, tha Dula për RTV21.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, kërkesa e kryeministrit Kurti ishte dorëzuar më 7 mars, ndërsa palëve të interesuara u ishte kërkuar që komentet e tyre t’i paraqisnin deri më 11 mars 2026.

Ndërkohë, më 9 mars, gjykata kishte pranuar edhe kërkesën e 30 deputetëve të LVV-së për të njëjtën çështje. Duke qenë se objektivi i kërkesave ishte i njëjtë, gjykata vendosi t’i bashkojë ato në një rast të vetëm dhe u dërgoi palëve një shkresë të re për dorëzimin e komenteve deri më 12 mars 2026.

Latest from Blog

Go toTop