October 21, 2026
1 min read

Mbi 374 mijë fëmijë përfituan shtesa në shtator, ja sa para u ndanë nga shteti

Mbi 374 mijë përfitues ishin pjesë e skemës së shtesave për fëmijë në Kosovë gjatë muajit shtator 2026, ndërsa shuma e ndarë për këtë kategori kaloi 13.5 milionë euro.

Të dhënat janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në raportin për mirëqenien sociale për shtatorin 2026, i cili pasqyron numrin e përfituesve dhe shpenzimet për skemat e ndryshme sociale dhe pensionale.

Mbi 27 milionë euro për pensionet bazike të moshës

Sipas raportit, për pensionet bazike të moshës u shpenzuan mbi 27.6 milionë euro, për gjithsej 172,721 përfitues.

Ndërkohë, pensionet kontributpaguese të moshës përfshinë 47,738 persona, për të cilët u ndanë rreth 11.7 milionë euro. Në skemën e pensioneve parciale kontributpaguese ishin 11,493 përfitues, me pagesa prej rreth 2.5 milionë eurosh.

Sa përfituan veteranët dhe familjet e dëshmorëve?

Të dhënat e ASK-së tregojnë se gjatë shtatorit, skema e veteranëve të luftës përfshiu 39,699 përfitues, ndërsa pagesat për këtë kategori kaluan 7.8 milionë euro.

Për pensionet e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës u ndanë rreth 3.8 milionë euro, për gjithsej 12,332 përfitues.

Nga skema e ndihmës sociale përfituan 14,664 familje, të cilave iu ndanë rreth 2.2 milionë euro.

Mbështetje edhe për personat me aftësi të kufizuara dhe lehonat

Në skemën e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara u regjistruan 21,644 përfitues, me shpenzime prej afro 3.6 milionë eurosh.

Ndërkaq, skema për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara përfshiu 9,394 përfitues, për të cilët u paguan gjithsej 659,100 euro.

Mbështetje financiare morën edhe lehonat. Sipas raportit, 6,817 lehona të papunësuara përfituan rreth 3.42 milionë euro, ndërsa për 2,176 lehona të punësuara u ndanë afërsisht 1.1 milion euro.

Raporti i ASK-së paraqet shtrirjen e skemave sociale në Kosovë, të cilat synojnë të mbështesin pensionistët, familjet në nevojë, lehonat, personat me aftësi të kufizuara dhe kategoritë e dala nga lufta.

Latest from Blog

Go toTop