Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka thënë se ekipi iranian i futbollit mund të marrë pjesë në Kupën e Botës të këtij viti, por shton se nuk beson se është e përshtatshme që ata ta bëjnë një gjë të tillë.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump thotë se kjo është për jetën dhe sigurinë e tyre.
Irani është planifikuar të luajë tre ndeshje në fazën e grupeve në turneun, i cili zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë dhe fillon më 11 qershor.
Ministri i Sportit dhe Rinisë në Iran, Ahmad Donyamali, e vuri në dyshim pjesëmarrjen e ekipit, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
“Duke pasur parasysh që kjo qeveri e korruptuar ka vrarë udhëheqësin tonë, në asnjë rrethanë nuk kemi kushtet e duhura për të marrë pjesë në Kupën e Botës. Djemtë tanë nuk janë të sigurt dhe kushtet për pjesëmarrje nuk ekzistojnë”, ka thënë ai.
Por, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, mik i ngushtë i Trumpit, gjatë ditës së djeshme bëri të ditur se kishte folur me presidentin, i cili tha se i kishte thënë se Irani ishte “i mirëpritur” të merrte pjesë në turne.