Është shtyrë seanca fillestare ndaj Slavko Simiqit, deputet nga radhët e Listës Serbe dhe Urosh Vukasinoviqit të cilët akuzohen se nxitën protestuesit që të sulmonin gazetarët shqiptarë gjatë tensioneve në Leposaviq, më 16 qershor të vitit 2023.
Arsyeja e shtyrjes erdhi pas ankesave të avokatëve të të akuzuarve, të cilët pretenduan se njëri nga klientët nuk ka pranuar fare shkresat nga prokurori, ndërsa tjetri i ka pranuar vetëm pjesërisht. Prokurorja e rastit, Ajtene Zoni, tha se avokati i të akuzuarve është njoftuar disa herë përmes telefonit për të marrë shkresat e lëndës, por nuk ka ardhur t’i marrë.
“Prokuror disa herë e ka thirr avokatin përmes telefonit që shkresat e lëndës të vijë t’i marr në prokurori por që i njëjti nuk ka ardhë t’i marr, të njëjtën arsye pse prokuroria nuk e din. Me qenë se i njëjti nuk i ka marr shkresat e lëndës unë sot i kam sjellur me vete për të dëshmuar se të njëjtat janë të gatshme, dhe të njëjtin e kemi fletë dërguesin e përgatitur ku janë përfshirë të gjitha shkresat e lëndës dhe CD,” tha ajo.
Në anën tjetër, avokati i të akuzuarit, Dejan Vasiq, i hodhi poshtë pretendimet e prokurorisë, duke theksuar se nuk është kontaktuar asnjëherë për t’i marrë shkresat dhe se ato nuk janë të plota.
“Asnjëherë nuk më kanë thirrur prokuroria për të shkuar mi marr shkresat e lëndës. Në anën tjetër pse prokuroria nuk i ka dërguar me postë. E treta shikoni shkresat e prokurorisë, shikoni edhe shkresat e juaja, edhe na tregoni se a janë krejt shkresat e lëndës që duhet t’i pranoj prokuroria, shikoni,” tha ai.
Pas dëgjimit të palëve, gjyqtarja Shqipe Sejdiu njoftoi se për shkak të rrethanave të krijuara, seanca e sotme fillestare shtyhet.
“Për këto arsye dhe rrethanat, gjykata nxjerr aktvendim që të shtyhet seanca fillestare e sotme, kjo seancë shtyhet më 9 tetor në orën 13:30,” tha ajo.