Qendra për Informim dhe Përmirësim Social ka reaguar lidhur me rastin e 5-vjeçarit nga Janjeva e Lipjanit, i cili dyshohet se është keqtrajtuar nga prindërit dhe gjendet në gjendje të rënduar shëndetësore, ndërsa rrezikon amputimin e shputave pasi nuk ishte trajtuar për një kohë të gjatë.
Në reagimin e QIPS thuhet se rasti që tronditi opinionin kosovar rrjedh si pasojë e mosfunksionimit të sistemit të shëndetit mendor.
Sipas të dhënave të QIPS, rreth 4 vjet më parë, familjes në fjalë iu larguan fëmijët përkohësisht pasi që QPS e Lipjanit alarmoi Policinë e Kosovës për kushtet e tmerrshme të jetesës, së bashku me neglizhencën ndaj fëmijëve që, sipas tyre, ishte rezultat i problemeve të shëndetit mendor me të cilat ballafaqohej nëna e fëmijëve.
Në atë kohë, sipas Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social, nëna e fëmijëve ishte dërguar në Klinikën Psikiatrike të Prishtinës, ku supozohet se është diagnostikuar nga stafi dhe i janë ndarë mendimet gjykatës rreth aftësisë së individit për vetë-kujdesin dhe kujdesin ndaj fëmijëve të saj.
Megjithatë, QIPS thotë se pavarësisht situatës dhe shqetësimeve të ngritura, gjykata riktheu fëmijët dhe, sipas informatave që kemi, familja ka mbetur tërësisht e pambështetur dhe pamonitoruar nga shërbimet e shëndetit mendor përgjatë këtyre viteve.
“Në parim, pasi që të lirohet individi nga klinika e psikiatrisë duhet të referohet si rast në Qendrën e Shëndetit Mendor (QShM) më të afërt (në këtë rast QShM të Prishtinës) për mbështetje të mëtutjeshme në komunitet dhe me vizita të rregullta nga QShM, ku stafi profesional shëndetësor mbështet dhe mbështetet nga Qendra për Punë Sociale, dhe ka mundësi që të sigurohet për mirëqenien e prindërve si dhe të fëmijëve para se të përfundojnë rastet në tragjedi. Ndërkaq në praktikë kjo është e pamundur që të ndodhë, për shkak se këto qendra janë krejtësisht të pambështetura nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas informatave që kemi, QShM e Prishtinës ka vetëm një veturë (për dallim nga qendrat tjera të cilat as këtë formë të transportit nuk e kanë të sigurt), e cila është siguruar nëpërmjet donacioneve të jashtme. Pra, është krejtësisht e pamundur që të kryhet një funksion bazik i sistemit të shëndetit mendor, i cili potencialisht do ta parandalonte një tragjedi”, theksohet në reagim.
QIPS thotë se shqetësim i saj janë rastet e tilla që nuk janë të izoluara apo unike, por janë rezultat i neglizhencës institucionale shumëvjeçare e cila ka lënë anash mjetet më efektive për parandalim dhe mbështetje të personave me çrregullime të shëndetit mendor.
Andaj, qendra ka bërë thirrja që Ministria e Shëndetësisë, me urgjencën dhe kujdesin më të lartë, të mobilizojë burimet e veta për fuqizimin e shërbimeve komunitare të shëndetit mendor dhe ristrukturimin e strategjive të shëndetit mendor drejt mbështetjes, risocializimit dhe fuqizimit në komunitet.