Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka ngritur alarmin se bizneset në vend janë në prag kolapsi për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe barrës fiskale.
Sipas tij, situata aktuale po rrezikon funksionimin e ekonomisë dhe vetë shtetit funksional, ndërsa shtoi se mungesa e veprimeve konkrete nga institucionet po i shtyn ndërmarrjet drejt mbylljes dhe humbjes së mijëra vendeve të punës, transmeton Klankosova.tv.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka kritikuar qasjen e qeverisë ndaj çmimeve, duke thënë se përpjekjet për t’i kontrolluar ato duke detyruar bizneset të operojnë me humbje janë të gabuara dhe të rrezikshme.
Ai ka renditur disa nga praktikat që, sipas tij, aplikohen nga vendet e zhvilluara në situata të ngjashme, përfshirë uljen e përkohshme të akcizës dhe TVSH-së, subvencionimin e sektorëve kritikë, krijimin e rezervave strategjike shtetërore dhe targetimin e ndihmës direkte për qytetarët.
Në këtë kontekst, ai ka paraqitur dy kërkesa urgjente, uljen e menjëhershme të së paku 8 centëve nga TVSH-ja për naftën, si dhe heqjen e përkohshme të akcizës deri në stabilizimin e situatës.
“Pa këtë ndërhyrje, një valë mbylljesh biznesesh dhe humbjesh të vendeve të punës është e pashmangshme. Ironia është e madhe: nga njëra anë mburremi me rritje të të hyrave buxhetore, nga ana tjetër po e mbytim sektorin që i gjeneron ato. Kjo nuk është menaxhim ekonomik, është një iluzion i rrezikshëm që do të paguhet shtrenjtë nga qytetarët. Veproni sot. Nesër mund të jetë vonë”, ka shkruar Tahiri.