Screenshot
March 22, 2026
3 mins read

Mbi gjysma e Kosovës joaktive ekonomikisht, papunësia gati 14%

Përkundër narrativës së Qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje, e cila i ka proklamuar vitet e fundit si dëshmi të një progresi të jashtëzakonshëm ekonomik duke pretenduar rënie të papunësisë në vetëm 10.9%, pamja aktuale e tregut të punës është dukshëm më e rëndë. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, të bazuara në Regjistrimin e Popullsisë (ReKos 2024), tregojnë se shkalla reale e papunësisë ka shënuar rritje, duke arritur në 13.9%.

Mbi gjysma e popullsisë në moshë pune – 548,896 persona nga gjithsej 1,063,687 – mbeten krejtësisht joaktivë ekonomikisht, me një shkallë joaktiviteti prej 51.6 për qind. Situata është veçanërisht alarmante për gratë, ku 65.4 për qind e tyre janë jashtë tregut të punës, ndërkohë që rreth 79 për qind e grave që kërkojnë punë mbeten të papunësuara.

“Shkalla e jo-aktivitetit vazhdon të mbetet mjaft e lartë Shkalla e jo-aktivitetit mbetet një nga sfidat kryesore të tregut të punës në Kosovë me 51,6 %. Kjo dukuri është veçanërisht e theksuar tek femrat, ku shkalla e jo-aktivitetit është 65,4 %, krahasuar me 37,8 % te meshkujt”,thuhet në raport,

Sipas deputetes së LDK-së, Janina Ymeri, politikat e qeverisë si platforma “SuperPuna” kanë dështuar në qëllimin e tyre. Sipas saj, numri i të punësuarve primarë të regjistruar në ATK dhe numri i llogarive aktive në Trust nuk kanë pasur dallim të konsiderueshëm para dhe pas lansimit të kësaj platforme. 

“SuperPuna nuk e ka rritur punësimin. Numri i të punësuarve primarë të regjistruar në ATK as numri i llogarive aktive në Trust, nuk ka dallim të konsiderueshëm para dhe pas lansimit të kësaj platforme. Kjo është një nga rrenat e radhës e qeverisë VV për gjoja rritjen e punësimit, një narracion që mund të demantohet lehtësisht me fakte.” – shkroi zonja Ymeri.

Për më tepër, rënia e përkohshme e papunësisë në vitet e kaluara nuk ishte rezultat i hapjes së vendeve të punës. 

Siç argumenton Ymeri, kjo shkallë u lehtësua nga ikja e mbi 11,000 personave për lejeqëndrim pune jashtë vendit brenda një viti. Punëkërkuesit thjesht u zhdukën nga regjistrat, duke u “eksportuar” drejt Evropës Perëndimore, çka përmirësoi artificialisht ekuacionin e papunësisë.

“Gjithashtu shkalla e papunësisë është lehtësuar nga ikja e mbi 11 mijë personave për punë jashtë vendit, për lejeqëndrim pune, vetëm brenda një viti, e jo nga punësimi në Kosovë. Ftoj kabinetin qeveritar VV, qoftë Kurti2 apo Kurti 3, se edhe ashtu të gjithë mendojnë çfarë thotë një njeri, të argumentojnë me fakte: Si e ka rritur SuperPuna punësimin e qëndrueshëm dhe zhvillimin ekonomik?

Për këtë argumentim i pres në cilëndo studio, në ballafaqim, për të treguar të vërtetën për Punësim. Le ta dijnë të gjithë, se ky vend me Kurtët, në qeveri e rrymë, nuk po zhvillohet por po zvogëlohet.” – shkroi deputetja.

Sipas ish-qeverisë Kurti II, në fund të vitit 2023 numri i të punësuarve kishte arritur në 425,000. Megjithatë, të dhënat nga Fondi i Kursimeve Pensionale (Trusti) na tregojnë se numri i llogarive aktive — që përfaqësojnë punësimin e qëndrueshëm, formal dhe që paguan kontribute — sillet rreth shifrës prej 350,000. 

Kjo lë një “vrimë të zezë” prej 80,000 deri në 90,000 personash, të cilët Agjencia e Statistikave të Kosovës i llogarit si të punësuar. Të dhënat e Trustit nga ana tjetër sugjerojnë një rritje krejt minimale dhe organike prej vetëm 3% deri në 4% në vit, duke hedhur poshtë pretendimet për rritjet të punësimit në përmasat e pretenduara nga pushteti.

Latest from Blog

Keqllogaritja që mund ta destabilizojë Ballkanin

Gara në armatim ekziston prej shekujsh, por pas Luftës së Dytë Botërore mori formë globale dhe sistematike, sidomos midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Armët bërthamore, raketat
Go toTop