Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurit Zoran Stankoviq, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
Sipas njoftimit të Gjykatës, bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit në kohëzgjatje prej 1 muaji.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i arratisjes pasi i njëjti posedon edhe shtetësinë e Republikës së Serbisë dhe ekziston mundësia reale që të ikën nga Kosova. Po ashtu nëse i pandehuri gjendet në liri mund të fshehë, asgjësojë apo ndryshojë, andaj Gjykata vlerësoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale”, tha Gjykata në njoftim.
Një ditë më parë, institucionet e sigurisë dhe të hetuesisë në Kosovë e kanë prangosur të dyshuarin Zoran Stankoviq për krime lufte gjatë viteve 1998-1999.
Ai u kap në pikëkalimin kufitar të Merdares.
Stankoviq ishte prej kohësh nën përcjellje nga autoritetet e Kosovës.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i pandehuri, si pjesë e një grupi paramilitar të forcave serbe, dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Matiçan, Komuna e Prishtinës gjatë periudhës kohore 1998-1999.