Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas paralajmërimeve për kandidatura të mundshme për kryetar të partisë, duke theksuar se gara e brendshme duhet të zhvillohet mbi bazën e meritave dhe kontributit personal.
Haziri ka rikujtuar se viti 2027 do të jetë vit i zgjedhjeve të brendshme në LDK, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të vlerave dhe parimeve demokratike të partisë.
Pa përmendur drejtpërdrejt emra, reagimi i tij vjen pas paralajmërimit të kandidaturës së mundshme të Driton Ramës për kryetar të LDK-së.
Haziri: Gara duhet të vendoset nga anëtarësia
Deputeti i LDK-së ka vlerësuar se hapja e debatit se kush është kandidati më i mirë, përpara nisjes zyrtare të procesit zgjedhor, nuk i shërben demokracisë së brendshme të partisë.
Sipas tij, secili kandidat duhet të dëshmojë vlerat e tij përmes suksesit, angazhimit dhe meritave personale, ndërsa vendimin përfundimtar duhet ta marrin anëtarët dhe votuesit.
“Secili që mundet, përmes shembullit personal të suksesit, kontributit e meritës, duhet të garantojë rikthimin e madh të LDK-së. Ai apo ajo le të ftohet nga votuesit për besim në garë”, ka shkruar Haziri.
Deklarata e tij vjen në kohën kur brenda LDK-së kanë nisur të përmenden emra dhe mundësi për garën e ardhshme për udhëheqjen e partisë, e cila pritet të zhvillohet në vitin 2027.