Kosova nesër do të përballet me Sllovakinë në Bratisllavë në ndeshjen historike të “play-off”-it në kuadër të kualifikimeve në Kupën e Botës.
Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala ka hedhur poshtë spekulimet që kanë qarkulluar lidhur me ndalimin e tifozëve kosovarë për të hyrë në stadium në Bratisllavë, transmeton KlanKosova.tv.
Shala gjatë konferencës për shtyp bëri të ditur se të gjithë tifozët do të lejohen në stadium pavarësisht sektorit ku kanë siguruar biletat.
Megjithatë, ai shtoi se për tifozët e Kosovës që do të vendosen në sektorë të përzierë me vendasit do të përballen me disa kufizime për arsye sigurie. Sipas tij, në këta sektorë nuk do të lejohet shfaqja e simboleve shtetërore për të shmangur incidente të mundshme për shkak të pranisë së tifozëve sllovakë.
“Për shkak të sigurisë së tyre, shfaqja e simboleve shtetërore dhe kombëtare do të jetë më e limituar në sektorët e tjerë, pasi ata do të jenë në mesin e tifozëve sllovakë. Ky është vendim i marrë nga Federata Sllovake”, tha ai.