April 15, 2026
1 min read

Gjykata Komerciale rrëzon tenderin milionësh të QKUK-së për sigurim fizik

Gjykata Komerciale ka marrë vendim të cilin e ka siguruar Indeksonline, ku e ka anuluar tenderin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për sigurimin fizik të objekteve, pas kontestimit të procedurës nga një operator ekonomik.

Tenderi në vlerë prej 1 milion e 2 mijë e 349 euro ishte zhvilluar me procedurë të negociuar pa publikim të kontratës dhe i ishte dhënë kompanisë “Defence Security”, e cila kishte ofertuar çmimin më të ulët nga tri kompani pjesëmarrëse.

Sipas të dhënave, kontrata parashihte pagesë mujore prej rreth 200 mijë e 469 eurosh për një periudhë pesëmujore, çka paraqet rritje prej mbi 11 mijë euro në muaj krahasuar me kontratën e mëparshme, edhe pse ajo kishte kohëzgjatje më të gjatë.

Procesi i tenderimit ishte zhvilluar në afat shumë të shkurtër – dosja ishte përgatitur, më 4 shkurt 2026, ofertat janë dorëzuar më 5 shkurt deri në orën 14:00, po atë ditë është shpallur fituesi, ndërsa kontrata është nënshkruar më 6 shkurt.

Tenderi ishte kontestuar nga kompania “SIG ShPK”, e cila kishte pretenduar se nuk kishte pranuar ftesë për ofertim, ndonëse më parë kishte qenë përgjegjëse për sigurimin fizik të objekteve të QKUK-së.

Pas shqyrtimit të rastit, Gjykata Komerciale ka vendosur ta rrëzojë këtë tender, duke e kthyer procesin për rishqyrtim.

Vendimi-i-Gjykates-KomercialeDownload

Latest from Blog

Go toTop