Janë ngritur dyshime lidhur me projektin mbi të cilin po zhvillohen punimet për zgjerimin e rrugës “N2” në hyrje të Ferizajt, pjesë e magjistrales Prishtinë–Ferizaj. Paqartësitë kryesore lidhen me origjinën e projektit dhe dokumentacionin teknik mbi të cilin po kryhen punimet në terren.
Kiks Kosova ka kontaktuar kompaninë Infraplus, e cila ka hartuar projektin e rrugës. Pronari i saj, Musa Islamaj, thotë se dokumenti fillimisht është dorëzuar si ide dhe material teknik në institucionet përkatëse përmes kanaleve digjitale, dhe sipas tij nuk ka qenë projekt i finalizuar për zbatim në terren. Ai shton se projekti nuk ka qenë i vulosur apo i nënshkruar dhe nuk ka kaluar të gjitha fazat e miratimit teknik, duke theksuar se kompania nuk ka qenë e informuar se ai po zbatohet në terren dhe se nuk është lidhur kontratë specifike për këtë fazë të punimeve.
Nga ana tjetër, kompania ndërtuese “Salillari sh.p.k.”, e cila po i realizon punimet në këtë segment, thotë se projekti është pranuar përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe se ai është hartuar nga Infraplus. Sipas saj, kompania nuk ka pasur arsye për të dyshuar në dokumentacionin e pranuar përmes procedurave të tenderimit dhe se roli i saj është vetëm zbatimi i punimeve sipas projektit të dorëzuar nga institucionet, ndërsa çdo paqartësi i adresohet autoritetit kontraktues.
Edhe kompania mbikëqyrëse italiane “Technital”, e angazhuar në këtë projekt, ka sqaruar se sipas kontratës ndërkombëtare “FIDIC Red Book 1999”, komunikimi dhe raportimi i saj bëhet ekskluzivisht me porositësin e projektit dhe jo me palë të jashtme apo media, duke theksuar se për çdo informacion duhet të kontaktohet institucioni përgjegjës.
Sipas burimeve jozyrtare brenda Ministrisë së Infrastrukturës, punimet në terren po zhvillohen në bazë të projektit fillestar të hartuar nga Infraplus në vitin 2016, për të cilin ekziston një kontratë e mëhershme me Ministrinë. Të njëjtat burime thonë se nuk bëhet fjalë për një projekt të dytë të veçantë, por për përditësime dhe ndryshime teknike të projektit bazë, ndërsa dokumenti i prezantuar në vitin 2024 është cilësuar si version pune me karakter informues.
Në këtë situatë, Ministria e Infrastrukturës deri më tani nuk ka dhënë përgjigje publike për këto dyshime, përfshirë çështjen e dokumentacionit dhe mënyrën e zbatimit të projektit në terren.
Për këto çështje, Kiks Kosova ka kontaktuar edhe ish-zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili ka hedhur poshtë pretendimet për parregullsi në këtë projekt dhe ka deklaruar se sipas tij, i gjithë procesi është zhvilluar në përputhje me procedurat ligjore dhe me përfshirjen e mekanizmave mbikëqyrës dhe financiarë.
Ai ka theksuar gjithashtu se, sipas informacioneve që posedon, nuk mund të ketë zbatim të një projekti pa dokumentacion të rregullt dhe paprocedura të verifikuara institucionale.
Ndërkohë, Kiks Kosova ka mësuar se Njësia për Krime Ekonomike në kuadër të Policisë së Kosovës ka intervistuar palët e përfshira në këtë projekt. Megjithatë, nuk ka ende konfirmim zyrtar nëse janë iniciuar hetime apo nëse rasti ka hyrë formalisht në procedurë hetimore.