Besnik Tahiri, deputet i AAK-së, në seancën ku do të diskutohet për dërgimin e Ushtrisë së Kosovës në Gaza, ka thënë se ky veprim është krenari e madhe gjë e cila, sipas tij, po vërteton se Kosova mund të eksportojë paqe.
Megjithatë, ai pati kritika për qeverinë dhe institucionet tjera në lidhje me të drejtat e ushtarëve të FSK-së.
“Jam këtu për të adresuar një shqetësim serioz i cili po e demotivon ushtarin e ushtrisë sonë. Si ka mundësi që brenda ministrisë përkatëse, ministria të mos i kompensojë ushtarët tanë për orët shtesë, për beneficionet që i kanë, dhe një çështje e tillë të bëhet subjekt i trajtimit në gjykata? A e kuptoni që kjo është një ndër pozicionet më të vështira që dikush që është në uniformë, në mungesë të veprimit institucional, të mbrojtjes shtetërore, nga dikasteri që e ka detyrë, të detyrohet një ushtar ta kërkojë të drejtën e vet në gjykatë, e kjo qeveri të ndajë 65 milionë euro për rrogën e 13-të”, u shpreh Tahiri.
Ai bëri thirrje që kjo punë të merret seriozisht nga shteti.
Ndër të tjera, ai foli edhe çmimet e shportës së familjes, duke thënë se shteti nuk po merret fare me sektorin privat.
“Në baza ditore, si deputet, marr kërkesa dhe kërkojnë mbështetje për të bërë diçka për sektorin privat. Është padrejtësi total me marr një vendim i cili ka qenë zotim elektoral, dhe me një pullë me i çu te 80 mijë njerëz, që janë zyrtarë publikë të Kosovës, 65 milionë me të cilat kanë mujt me u ndërtu 2 stadione e shumë punë, e mos me pas asnjë kujdes të vetëm për punëtorët e sektorit privat”.
“Sot Kosovën e mbajnë dy burime thelbësore: taksat që vijnë nga njerëz që janë në punë në sektorin privat, dhe të hyrat që vijnë prej doganave dhe të hyrave tjera ekzakte që hyjnë në buxhetin e Kosovës”.
Ai kërkoi nga qeveria që të ndërmarrë veprime urgjente që të ndihmojë sektorin privat, dhe shtoi se ekonomia e Kosovës kurrë s’ka qenë më në rrezik.
“Dora e shtetit nuk është as te punëtorët në market, as te ata në ndërtimtari”, potencoi deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.