April 21, 2026
2 mins read

“Gjeneroz” Kurti: Në mars thoshte “s’kemi garuar për president”, në prill “populli m’i dha 51.1%”

Deklaratat e fundit të kryeministrit Albin Kurtilidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit, tregojnë një ndryshim të dukshëm në diskurs krahasuar me qëndrimet e tij të mëparshme.

Nga një qasje e mëhershme që theksonte domosdoshmërinë e konsensusit dhe sigurimin e votave të mjaftueshme në Kuvend, Kurti tani po e lidh më fort çështjen e presidentit me rezultatin zgjedhor dhe legjitimitetin që, sipas tij, buron drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve.

Në periudhën kur zhvillonte takime me opozitën, muajin e kaluar, ai shfaqej më i kujdesshëm dhe theksonte nevojën për konsensus e bashkëpunim me opozitën.

Ndërkaq, pas refuzimeve nga PDK dhe LDK për ofertat e tij, Kurti u shpreh i “çuditur” dhe e vuri theksin te rezultati zgjedhor si bazë legjitimiteti për qëndrimet e Vetëvendosjes.

“Çka të bëj me rezultatin zgjedhor, që m’i kanë dhanë 51.1 për qind. Ata s’i kanë votat as me ia mbledhë nënshkrimet një kandidati”, tha sot Kurti.

I sfiduar se gara e 28 dhjetorit ka qenë për kryeministër e jo për president, ai shtoi se është treguar gjeneroz, duke thënë se demokracia nënkupton vullnetin e popullit.

“Veç një moment. Me ia dhanë atij, kur s’ia ka dhanë populli? Demokracia nënkupton vullnetin e popullit. Unë jom super gjeneroz. Duhet t’i pyesni që me këta numra bëjnë refuzime”, deklaroi të martën (21 prill) Kurti.

Ndërkaq, hiç më larg se në mars, Kurti deklaronte se nuk kishin garuar në zgjedhje me një emër që do të mund të ishte kandidat për president.

“Tash e kemi një sfidë tjetër sepse sërish na duhen 2/3 e deputetëve për zgjedhjen e presidentit. Në njërën anë, ne nuk kemi garuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit si LVV me emër që kemi thënë se do të jetë kandidati ynë. LVV nuk e ka një anëtar me librezë partie që synon të bëhet president. Por, njësoj vlen edhe për dy partitë e tjera të mëdha e tradicionale si PDK dhe LDK, që u konfirmua pas takimeve që pata me liderët, Hamza dhe Abdixhiku”, ishte shprehur Kurti më 2 mars.

Ai kishte pranuar gjithashtu edhe mungesën e votave të mjaftueshme.

“Ne si LVV i kemi 57 deputetë, së bashku me pakicat përbëjmë mazhorancën prej 66 deputetëve, por nuk i kemi edhe 14 ende, që të sigurohemi që gjithçka të shkojë mirë në ditën kur do të zgjedhim presidentin e Republikës. Ju e keni parasysh që unë herën e kaluar me 56 deputetë u përpoqa që të zgjedhim kryeministër për t’i arritur 61, nuk u bë e mundur përkundër faktit që gjithçka u zgjat për shumë muaj e tash nuk jemi vetëm 5 deputetë larg por jemi 14 që e bën situatën më të vështirë”.

Ndërsa ndryshe siç bëri sot duke sulmuar opozitën se s’kanë numra veç e veç partitë për nënshkrime, situatën e shihte ndryshe muajin e kaluar.

 “Tash edhe opozita, nëse nuk e përfshijmë Listën Serbe, janë 43 deputetë, pra edhe opozita mund të nxjerrë kandidat”.

Latest from Blog

Go toTop