Screenshot
by
April 23, 2026
1 min read

ASHAK: Rexhep Qosja përfaqësonte një personalitet të jashtëzakonshëm të kulturës mbarëshqiptare

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka ngushëlluar familjen e Rexhep Qosjes i cili vdiq në moshën 89-vjeçare.

Kjo akademi thotë se lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit dhe anëtarit të saj e morën gjatë një aktiviteti të përbashkët në Tiranë me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

“Sot, gjatë një aktiviteti të përbashkët të organizuar në Tiranë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës mësuam lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të akademikut, studiuesit dhe shkrimtarit Rexhep Qosja, anëtar i ASHAK dhe anëtar nderi i ASHSH-së, një prej figurave më të shquara të mendimit shkencor, letrar dhe kombëtar shqiptar”

ASHAK ka vlerësuar figurën e tij duke thënë se akademik Rexhep Qosja përfaqësonte një personalitet të jashtëzakonshëm të kulturës mbarëshqiptare.

“Akademik Rexhep Qosja përfaqësonte një personalitet të jashtëzakonshëm të kulturës mbarëshqiptare, studiues i përkushtuar, shkrimtar dhe intelektual me ndikim të gjerë në zhvillimet shkencore, letrare dhe shoqërore. Veprimtaria e tij shumëdimensionale u karakterizua nga një qasje kritike, e argumentuar dhe e mbështetur në parime të larta akademike, duke kontribuar në mënyrë të veçantë në konsolidimin e mendimit albanologjik dhe në afirmimin e identitetit kulturor e historik shqiptar”.

“Trashëgimia që la pas, përbën një vlerë të çmuar shkencore dhe letrare, e cila do të mbetet burim referimi dhe frymëzimi për studiuesit dhe brezat që vijnë. Përmes angazhimit të tij intelektual dhe publik, ai luajti rol të rëndësishëm në mbrojtjen e çështjes kombëtare dhe në ndërtimin e diskursit kritik në shoqërinë shqiptare”.

“Të dy akademitë tona shprehin mirënjohje dhe vlerësim të lartë për këtë kontribut të pashlyeshëm në zhvillimin e shkencës, kulturës dhe mendimit bashkëkohor shqiptar, si dhe për rolin e tij në forcimin e institucioneve akademike dhe të bashkëpunimit ndërakademik në hapësirën shqiptare”.

ASHAK thotë më tutje se kujtimi, vepra dhe kontributi i akademik Rexhep Qosjes do të mbeten të përhershme në fondin e kulturës dhe shkencës shqiptare dhe në ndërgjegjen kolektive të kombit tonë.

Latest from Blog

“La vida Loca”, nga Istogu në Mallorca

Dy motrat Balaj, Rina dhe Rudina vazhdojnë t’i ndjekin qefet vetes. Dy motrat istogase kanë shkuar për pushime në Majorka të Spanjës. Pa asnjë shoqërues, motrat Balaj shfaqen me stil elektrizues në
Go toTop