Sulmet e përditshme thuajse, të stafit shëndetësor në QKUK, apo edhe të familjarëve të pacientëve nga qentë endacakë, janë kthyer në një fenomen shqetësues. Demantim News sjell versionet e kampusit dhe Komunës së Prishtinës, se çka planifikojnë të bëjnë ata, për zgjidhjen e këtij problemi
Gazetar: Erdonit HOXHA
“Një mjeke shtatzënë u sulmua nga qentë në oborrin e QKUK-së”, apo “Shkoi për ta parë nënën e tij, qytetari bëhet vetë pacient pasi u kafshua nga qentë endacakë në oborrin e QKUK-së”.
Këto janë dy nga titujt që ditëve të fundit fatkeqësisht kanë nisur të bëhen të përditshëm në mediat tona, pasi, sulmet e këtyre qenëve në oborrin e Qendrës e Klinikës Universitare të Kosovës po shtohen çdoherë.
Për këtë problematikë, Demantim News kanë kontaktuar me Komunën e Prishtinës, e nga Drejtoria e Shërbimeve Publike të kryeqytetit, kanë thënë se duke qenë se QKUK është nën Ministrinë e Shëndetësisë, këta të fundit nuk ka treguar interesim për bashkëpunim në zvogëlimin e kësaj problematike!
“QKUK është në menaxhim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe deri më tani nuk ka treguar interesim për bashkëpunim në zvogëlimin e kësaj problematike.
Megjithatë, Komuna e Prishtinës ka intervenuar vazhdimisht në zonën e QKUK-së për largimin e qenve endacakë. Deri më tani, nga kjo zonë janë larguar afër 100 qenë endacakë.
Nga java e kaluar e deri më sot janë larguar gjithsej 12 qen, prej të cilëve vetëm sot janë marrë 7 qenë dhe janë dërguar në strehimore për trajtim” thuhet në përgjigje.
Megjithatë, komuna prapë se prapë ka shprehur interesim për këtë fenomen dhe në një takim të mbajtur me drejtuesit e QKUK-së, ua ka dorëzuar edhe kërkesat, që minimalizojnë mundësinë e depërtimit të qenëve në oborrin e këtij institucioni.
“Më 04.05.2026 është mbajtur një takim në QKUK, ku është trajtuar kjo problematikë dhe janë diskutuar hapat që duhet të ndërmerren. Fillimisht, është kërkuar të punohet në rrethimin e oborrit, rrafshimin e terrenit, largimin e barojave dhe shkurreve, si dhe menaxhimin më të mirë të mbeturinave nga kuzhinat e klinikave dhe mbeturinave medicinale, pasi këto krijojnë kushte të favorshme për qëndrimin e qenve endacakë.
Komuna ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim, brenda mundësive buxhetore dhe teknike” kanë thënë nga DSHPP.
Kurse, nga QKUK, kanë thënë për Demantim se duke parë gjendjen, menaxhmenti i këtij kampusi ka ndërmarrë iniciativën për krijimin e Shtabit Emergjent me qëllim mbrojtjen e pacientëve, stafit, vizitorëve dhe qytetarëve.
“Duke e vlerësuar seriozitetin e situatës së krijuar nga prania e qenve endacakë brenda kampusit të Qendrës Klinike Universitare të Kosoves, menaxhmenti i QKUK-së ka ndërmarrë iniciativën për krijimin e Shtabit Emergjent me qëllim mbrojtjen e pacientëve, stafit, vizitorëve dhe qytetarëve.
Ky shtab do të funksionojë në koordinim të ngushtë me institucionet relevante brenda dhe jashtë QKUK-së, përfshirë Komunën e Prishtinës, AUV-në dhe partnerët e licencuar për trajtimin e kafshëve.
Me datë 04 maj 2026, në takimin e mbajtur me përfaqësues nga Komuna e Prishtinës, është vlerësuar si prioritet i këtij shtabi të bëhet identifikimi i zonave me rrezik, angazhimi i ekipeve profesionale për largimin human të qenve si dhe të ndërmerren masa konkrete si monitorimi i zonave kritike, pastrimi i mbeturinave ushqimore, si dhe koordinimi me institucionet përgjegjëse” thuhet në përgjigje.
Demantim NEWS ka provuar që të marrë përgjigje edhe nga SHSKUK, në të cilën operon QKUK-ja, se a kanë ndonjë plan konkret për të zgjidhur këtë problem, por, deri në lansim të teksit, nuk kanë kthyer përgjigje.
Kujtojmë se një tjetër problem që po e bën shtimin e qenëve endacakë në Prishtinë, ka të bëj me faktin se në kryeqytet po sjellen nga vende të ndryshme qenë të braktisur dhe kjo gjë po e vështirëson menaxhimin e tyre.
“Duhet pasur parasysh se, pavarësisht largimit të qenve, vazhdimisht ka prurje dhe braktisje të reja, ndërsa kjo zonë vazhdon të ofrojë kushte të përshtatshme për strehim deri në përmirësimin e gjendjes.
Po ashtu, Komuna vazhdon të kërkojë nga niveli qendror që çështja e qenve endacakë të trajtohet në nivel vendi, pasi ndryshe problemi nuk mund të zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme. Në Prishtinë vazhdimisht evidentohen ardhje dhe braktisje të reja të qenve, çka e bën situatën më të theksuar në kryeqytet” kanë thënë për fund nga Komuna e Prishtinës.
Në gjithë këtë lojë “ping-pongu” mes pushtetit qendror e lokal, të dëmtuarit dhe të sulmuarit në këtë rast po vazhdojnë të jenë qytetarët!