Këshilli Prokurorial i Kosovës, në takimin e së hënës, ka shpallur konkursin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.
Shpallja e konkursit u bë me pesë vota për, një kundër dhe asnjë abstenim dhe do të jetë i hapur për 15 ditë.
Paraprakisht, anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi mori fjalën, duke thënë se procesi për Kryeprokuror të Shtetit është bllokuar qëllimisht, tash e katër vite.
Ai parashtroi pyetje se pse tash po zhvillohet kaq urgjent dhe se pse Këshilli po bie nën ndikimin e pushteteve të tjera.
Krasniqi tha se Këshilli për këtë proces duhet të tregojë integrietit dhe të mos zhvillojë procese nën ndikim të dikujt.
Tutje, Krasniqi tha se para publikut do të parashtrojë disa pyetje se kujt i pengoi dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit, dhe se a duhet me domosdo të kemi Kryprokurorin që e duan pushtetet tjera.
Anëtari Krasniqi tha se nëse gjatë procesit të kaluar për Kryeprokuror të Shtetit ka pasur shkelje, atëherë sipas tij, ka pas mjete dhe insitucione kompetente për t’i dhënë përgjigje pretendimeve për shkelje.
Po ashtu, Krasniqi tha se në Këshill ka mbërritur një letër nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu duke kërkuar që të shpallet konkursi, meqë rast tha se një qasje e tillë është e papranueshme dhe se nënkuptohet si ndërhyrje në punën e KPK-së.
Krasniqi shtoi se në rast se shpallet konkurs, do të krijohet precedent i keq.
“Do të krijohet një praktikë, precedent i keq që të mos dekretohet Kryeprokurori i Shtetit vetëm pse nuk po i pëlqen emri”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, vetë kryesuesi Arian Gashi tha se nuk bëhet pjesë në diskutime që përfshihen aspekte të pushteteve të tjera, duke shtuar se kjo pozitë tash e një kohë është me ushtrues detyre.
Ndërkaq, anëtari tjetër Visar Krasniqi tha se është e pakuptimtë kërkesa që të mos shpallet konkursi, ku tha se mungesa e Kryeprokurori të Shtetit është pengesë dhe se ka qenë kërkesë edhe nga partnerët që të shpallet ky konkurs.
Paraprakisht, u miratua ndryshimi i Rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.