May 19, 2026
4 mins read

Super finalja e Kupës së Kosovës, trajnerët e Dukagjinit dhe Ferizajt flasin para betejës së madhe

Finalja e madhe e Kupës së Kosovës në futboll është shumë afër.

Finalistës Dukagjini dhe Ferizaj me përkushtim të madh po e presin betejën historike që do të zhvillohet në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, pas dy ditësh.

Trajnerët të cilët po synojnë triumfin me ekipet e tyre kanë folur për Klankosova.tv, para kësaj ndeshje për të cilën me gojën plot thanë se janë gati.

I pari i skuadrës nga Klina, Arsim Thaçi tha se kjo finale është një moment i rëndësishëm për klubin e tij, ndërsa janë të motivuar që në këtë ndeshje të hyjnë me të gjitha forcat.

“Finalja e kupës është moment shumë i rëndësishëm dhe i veçantë për klubin dhe për secilin prej nesh. Jemi të përgatitur, dhe të motivuar për ta përfaqësuar klubin në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi duke punuar me fokus maksimal që ekipi të jetë gati dhe sa ma i përgatitur në të gjitha aspektet për këtë sfidë”, ka thënë Thaçi.

E sa ndihet në presion para këtij ballafaqimi, Thaçi nuk la vend për dyshime, se lojtarët e tij do të jenë në gjendje që çdo ndjesi ta kthejnë në energji pozitive.

“Presioni në finale është normal dhe pjesë e futbollit profesionist. Mundohemi ta shndërrojmë atë presion në motivim dhe energji pozitive. Në këto ndeshje vendimtare ka shumë rëndësi qetësia, besimi te grupi dhe disiplinimi taktik. Kemi lojtar qe kanë eksperiencë dhe besoj që ata do ta bëjnë dallimin në këtë ndeshje”, ka shtuar ai.

Të ardhmen pas kësaj përballje, trajneri i Dukagjinit shprehet se e ka te mbyllja e sezonit në mënyrën më të mirë të mundshme, por megjithatë përgjigjet edhe për vazhdimësinë e tij te kjo skuadër.

“Aktualisht fokusi im i plotë është te finalja dhe te përfundimi sa më i suksesshëm i sezonit. Pas finales do të ketë kohë për të diskutuar për të ardhmen. Jam mirënjohës për bashkëpunimin me klubin dhe gjithçka do të vendoset në momentin e duhur.”

Optimist për një fitore më 21 maj u shpreh është edhe trajneri i Ferizajt, Arsim Abazi.

Ai tha se gjithçka do të vendoset në fushën e gjelbër, ku cak i tyre është fitorja dhe për këtë ka një besim të madh.

Unë mendoj se fituesin e kësaj finale e vendos ajo ekipë që ka fondin e lojtarëve më të madh dhe më kualitativ, më përvojë të madhe dhe të jetë edhe më e relaksuar gjatë ndeshjes. Besoj që këto të gjitha janë në favor të skuadrës tonë”, ka thënë Abazi.

Përkundër sfidës, Abazi u shfaq i relaksuar, duke thënë se e ka shijuar veç një finale dhe e konsideron si një ndeshje normale.

“Unë si futbollist aktiv sa kam qenë kam luajtur disa finale, po ashtu edhe si trajner kam një finale të luajtur dhe nuk ndjejë ndonjë presion por vetëm një lojë normale”, ka thënë ai.

Abazi po ashtu bëri të ditur se nuk pritet të ketë mungesa të lojtarëve, ndërsa të gjitha ekzaminimet po kryhen nga stafi mjekësor i klubit.

Në fund, kreu i ekipit nga Ferizaj, theksoi se djelmoshat e tij janë gjithmonë të gatshëm të tregojnë veten.

“Përgatitjet shkojnë gradualisht, ndërsa faza intensive tanimë ka filluar, tash e tutje fokusi jonë është total në finalen” ka thënë Abazi.

Dy ekipet kanë arritur edhe më parë në finale, mirëpo asnjëherë nuk kanë arritur të fitojnë trofeun.

Dukagjini për të arritur deri këtu mposhti fillimisht Ramiz Sadikun me rezultat 3-1 në 1/16, më pas eliminoi Prishtinën e Re me rezultat 1-0 në 1/8, ndërsa në çerekfinale triumfoi bindshëm ndaj Feronikelit 74 me rezultat 3-0.

Kjo është hera e katërt në histori të klubit nga Klina që arrin finalen, raporton Demantim News.

Në anën tjetër, Ferizaj siguroi finalen pasi barazoi me Llapin 0-0 në ndeshjen e kthimit, ndërsa kualifikimin e mori falë fitores në ndeshjen e parë në stadiumin “Zahir Pajaziti” me rezultat 2-1.

Rruga e ekipit nisi me fitoren ndaj Tefik Qangës 2-0 në 1/16, më pas eliminoi Drenicën si mysafir me rezultat 1-0 në 1/8, ndërsa në çerekfinale ishte më i mirë se Vushtrria, të cilën e mposhti 2-0.

Kjo do të jetë hera e tretë që Ferizaj luan në finalen e Kupës së Kosovës.

Finalja e Kupës së Kosovës do të zhvillohet më 21 maj në stadiumin legjendar “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ora 20:00, ndërsa do të transmetohet ekskluzivisht në Artmotion.

Latest from Blog

Go toTop