Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se Kosovës i duhet një kryeprokuror i ri dhe se shumica e problemeve në prokurori lidhen me kryeprokurorin Blerim Isufaj.
Kurti, në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, deklaroi se “duhet një kryeprokuror i ri, jo Blerim Isufaj”, duke e akuzuar atë për gjendjen në sistemin prokurorial.
Pas këtyre deklaratave, Prokuroria Speciale ka dalë me një reagim zyrtar, duke theksuar se ushtron mandatin e saj në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme.
“Prokuroria Speciale dhe Kryeprokurori i saj, z. Blerim Isufaj, nuk komentojnë deklarata me karakter politik, veçanërisht në rastet kur ato janë të pavërteta dhe nuk mbështeten në fakte apo procedura zyrtare institucionale”, thuhet në reagim.
Tutje, PSRK vlerëson se besueshmëria dhe integriteti institucional ndërtohen mbi punën, transparencën dhe respektimin e ligjit, “e jo mbi deklarata politike”.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se do të vazhdojë ushtrimin e kompetencave të saj në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.