Nexhmije Vari, nëna e Bekim Varit, i cili u vra vitin e kaluar në një fshat të Ferizajt, ka rrëfyer dhimbjen dhe momentet e fundit para se djali i saj të humbte jetën.
Ajo tha se më 22 janar, i dyshuari Leutrim Fejza kishte shkuar në shtëpinë e tyre dhe e kishte marrë Bekimin me vete.
“Me 22 janar, Leutrim Fejza ka ardhë ma ka marrë djalin te shtëpia. E ka qu në villë, kanë bujtë dhe kanë qëndru aty atë natë. Të nesrit, kah ora 19:00 e akshamit, ma ka mbytë djalin”, deklaroi ajo.
Sipas saj, pas krimit, i dyshuari kishte tentuar të fshehë gjurmët. “Ai e ka groposë, ia ka djegë çantën dhe krejt gjërat që i ka pasë, ia ka marrë”, tha ajo.
Nëna e viktimës theksoi se familja e tyre nuk kishte pasur probleme apo hasmëri me askënd. “S’ka pas hasmëri. Me kërkan djali s’u kanë keq”, u shpreh ajo.
Mes lotësh, Nexhmije Vari kërkoi drejtësi për djalin e saj dhe zbardhjen e plotë të motivit të vrasjes.
“Unë ju lutem drejtësisë me çu në vend këtë rast. Unë po du me ditë pse ma mbyti. Ne si familje jemi të shkatërruar tërësisht”, përfundoi ajo.