Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në një nga televizionet nacionale ka folur rreth prioriteteve infrastrukturore të cilat pretendon t’i realizojë në mandatin e ardhshëm.
Ai gjatë kësaj paraqitjeje u zotua për realizimin e katër projekteve hekurudhore, të cilat i cilësoi si shumë të rëndësishme.
“Prishtinë-Durrës, që e lidh Portin e Thatë të Prishtinës me Portin e ri të Durrësit, me segmentin Gjakovë-Shkodër në mes. Derisa për tri hekurudhat e tjera do ta bëjmë hekurudhën Prishtinë-Aeroport Ndërkombëtar “Adem Jashari”, hekurudhën Prizren-Ferizaj-Gjilan-Bujanoc dhe hekurudhën tejet të rëndësishme, korridori i 10-të”, deklaroi ai.
Shefi në detyrë i ekzekutivit ishte kritikuar se gjatë qeverisjes katërvjeçare nuk kishte arritur t’i përmbyllë punët publike, sa i përket autostradave, përfshirë atë të Gjilanit dhe Mitrovicës.
Shumica e projekteve si këto të dyja janë premtime që pothuajse janë trashëguar nga mandatet e kaluara, por nuk kanë nisur fare.
“Sa i përket autostradave do të përmbyllet ajo Duhël-Banullë, ju e dini që Rruga e Kombit “Ibrahim Rugova” i ka lënë Shtimën dhe Suharekën shumë keq. Do të kryhet rruga Kijevë-Zahaq, do të bëhet magjistralja e Dukagjinit, autostrada e Gjilanit, jemi në proces të riprojektimit të katër lloteve dhe kjo do të përfundohet, Prishinë-Podujevë do të përfundojë në fund të këtij viti.
Smrekonicë-Mitrovicë segmenti i fundit që lidh Mitrovicën me Prishtinën, se kemi nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare dhe jemi në proces të procedurave Prizren-Tetovë me tunel 6 kilometërsh dhe përfundon në fund të mandatit”, theksoi Kurti.
Premtime që kanë mbetur në letër janë edhe ndërtimet e disa digave të lumenjve.
“Pesë diga: Desivojca, Dragaqina, Firaja, Kuqica, edhe Pollata. Pra, pesë diga do të fillohen të ndërtohen, katër të tjera do ta bëjmë studimin e fizibilitetit”, deklaroi kryeministri në detyrë.
Albin Kurti po ashtu shtoi se secilin vit të mandatit të ardhshëm do të ketë 1 miliard euro investime kapitale.