Policia e Kosovës ka arrestuar dy zyrtarë bankarë të cilët dyshohet se e kanë ngarkuar me kredi prej 25 mijë eurosh një grua pa dijeninë e saj.
Sipas njoftimit, bëhet e ditur se Policia e Kosovës me njësitë e saj nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka kryer veprime hetimore me autorizim të Prokurorit të Shtetit, mbi dyshimet se i dyshuari nr.1, mashkull shtetas i Kosovës, në cilësinë e menaxherit bankar, ka tejkaluar autorizimet ligjore, duke liruar mjetet në vlerë prej 24.000,00 euro, ashtu që ka urdhëruar kundërligjshëm të dyshuarin nr.2, po ashtu mashkull shtetas i Kosovës, që të kryejë transaksionin e të hollave në llogari të dy bizneseve.
“I dyshuari i dytë analist bankar, ka ekzekutuar urdhrin verbal të menaxherit të kësaj banke duke transferuar njëzet e katër mijë (24.000,00) euro nga llogaria e të dëmtuarës (të cilën paraprakisht e kishin ngarkuar me kredi prej 25 mijë euro pa dijeninë e saj), nga dymbëdhjetë mijë (12.000,00) euro për secilin biznes”, njofton Policia.
Të dyshuarit, sipas Policisë, i kanë shkaktuar viktimës dëm duke e ngarkuar me kredi fiktive, përfshirë edhe përmbarimin pa dijeninë e saj.
“Pas veprimeve të kundërligjshme të të dyshuarve, kredia në emër të të dëmtuarës është ngarkuar me procedurë përmbarimore, e më pas është kallëzuar penalisht në Prokurori nga banka, edhe pse ky subjekt nuk ka ofruar asnjë provë që dëshmon se në emër të saj është realizuar kredia prej njëzet e pesë mijë (25.000,00) euro”, potencoi PK-ja.
Të dyshuarit e lartcekur janë intervistuar në prani të mbrojtësve, ndërsa me Aktvendim të Prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, përderisa hetimet për rastin do të vazhdojnë në aspektin financiar, në drejtim te zbardhjes së shumës prej 25.000,00 euro.