Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, Kaltrinë Lohaj, nga qyteti i Ferizajt, ka hyrë në garë për herë të parë si kandidate për deputete me numrin 29 në listën e PDK-së, duke sjellë në politikë përvojën e saj si logopede, themeluese institucionesh në arsim e shëndetësi dhe menaxhere e një ekipi me shumicë gra profesioniste.
E rritur në një familje me histori të thellë atdhetarie, ajo në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, thekson se patriotizmi për të është përgjegjësi morale dhe punë konkrete. “Jam rritur me dashuri për Kosovën, me ndjenjë të fortë kombëtare dhe me bindjen se shteti ynë meriton më shumë. Vij nga një familje patriotike që e ka paguar çmimin e lirisë së Kosovës, jam vajza e dy ish të burgosurve politikë dhe bashkëshortja e djalit të një dëshmori të luftës së fundit në Kosovë. Për mua, patriotizmi nuk është slogan politik, por histori familjare dhe përgjegjësi morale. Jam logopede me profesion dhe themeluese e tre institucioneve në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, me një staf prej thuajse 60 profesionistësh, ku 50 prej tyre janë gra. Kjo tregon qartë se gratë dhe të rinjtë janë ndër fokuset e mia kryesore”, ka thënë Lohaj.
Në këtë intervistë, Lohaj artikulon tre boshtet e programit të saj: rikthimin e seriozitetit shtetëror, zhvillimin ekonomik me fokus te të rinjtë dhe gratë, si dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Me një vizion që shkon nga politikat për punësim e sipërmarrje te shërbimet për fëmijët me nevoja të veçanta dhe edukimi parashkollor, ajo fton qytetarët që ta votojnë PDK-në dhe atë si kandidate për deputete që mos ta humbin besimin te Kosova, duke premtuar veprim mbi zhurmën dhe rezultate mbi slogane.