Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije se deri të hënën në mesnatë është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve, në 5 Qendra Komunale të Numërimt.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, qendrat Komunale të Numërimit, të cilat kanë përfunduar këto aktivitete janë: Juniku, Shtërpca; Hani i Elezit Parteshi, Mamusha.
“Procesi i numërimit dhe verifikimit është duke vazhduar në 32 QKN-të tjera: Deçan, Dragash, Ferizaj, Fushë Kosovë, Gjakovë, Gjilan, Drenas (Gllogoc), Graçanicë, Istog, Kaçanik, Kamenicë, Klinë, Kllokot, Leposaviq, Lipjan, Malishevë, Mitrovicë e Jugut, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Obiliq, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Rahovec, Ranillug, Skenderaj, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan”.
“Ndërkaq, në Qendrën Komunale të Numërimit në Vushtrri është zhvilluar procesi i numërimit nga 10 vendvotime, mirëpo rezultatet e numëruara nuk kanë mundur të procesohen sipas procedurave të QKN-së për shkak të disa problemeve teknike me rrjetin e internetit. Për rrjedhojë, kutitë e votimit janë mbyllur dhe siguruar sipas procedurave përkatëse, ndërsa procesi do të vazhdojë gjatë ditës. Këto vendvotime do të numërohen sërish për procedim të rregullt të rezultateve”.
Elezi poashtu njoftoi se sipas të dhënave deri të hënën në mesnatë numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara, që i takojnë 37 QKN-ve, është: 486 nga 2,498 vendvotime apo 19.46%.
Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat janë duke u transmetuar në platformën e KQZ-së për rezultate: https://resultsparliamentary2026.kqz-ks.org/