Një ngjarje tronditëse ka ndodhur të dielën e kaluar në Bruksel, ku është gjetur trupi i një burri 29-vjeçar, i varur pas një tabele sinjalizimi, pranë zonës së Anderlecht.
Sipas konfirmimeve nga Prokuroria e Brukselit, viktima është me origjinë shqiptare dhe vdekja po konsiderohet si e dyshimtë, ndërsa hetimet janë në zhvillim.
Trupi u gjet në një nga zonat e ndjeshme të qytetit, pranë qendrës tregtare Westland Shopping, afër Peterbos, një vend i njohur për aktivitet të lartë të trafikut të drogës. Prokuroria njoftoi se viktima ishte e varur me një kabllo, në pjesën e pasme të tabelës rrugore. Në vendngjarje kanë qenë të pranishëm një mjek ligjor, Policia Federale Gjyqësore dhe një gjykatës hetues.
Edhe pse pista e vetëvrasjes nuk është përjashtuar, autoritetet po hetojnë gjithashtu mundësinë e përfshirjes në rrjete kriminale, për shkak të natyrës së dhunshme të ngjarjes dhe vendndodhjes së trupit.
Një burim i afërt me hetimet tha se “ngjarja ngjan me metodat e karteleve meksikane”, që shpesh përdorin ekzekutime brutale publike si mesazh ndaj rivalëve ose bashkëpunëtorëve të dyshuar.
Ndërsa hetimi vazhdon, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende një lidhje të drejtpërdrejtë me ndonjë bandë apo rrjet të trafikut të drogës, por theksojnë se kjo mund të jetë një shenjë paralajmëruese e rritjes së dhunës së organizuar në Bruksel, e cila ka shënuar disa incidente të rënda në vitet e fundit.