Në Klinikën e Hematologjisë të QKUK-së është trajtuar me sukses një rast i rrallë dhe kërcënues për jetën përmes ndërhyrjes jetike me procedurën e Plasmaferezës.
Sipas njoftimit të ShSKUK-së, pacienti me iniciale S.S., 56-vjeçar me histori të gjatë të anemisë hemolitike jo autoimune dhe trombocitopenisë (numër i ulët i trombociteve), u diagnostikua me Trombocitopeni Trombocitike Purpurike (TTP) – një gjendje e rrallë me rrezik të lartë për jetën.
Mirëpo, falë diagnostikimit të shpejtë nga ekipi i Klinikës së Hematologjisë, bashkëpunimit dhe përkushtimit të stafit mjekësor, mjek dhe infermier, procedura u realizua me sukses nga mjekët e repartit të Kujdesit Intenziv të Klinikës së Pediatrisë në bashkëpunim me ekipin mjekësor të Klinikës së Hematologjisë si dhe mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.
“Ky rast është një dëshmi e qartë se diagnostikimi i hershëm, aparaturat moderne dhe reagimi i koordinuar multidiciplinar janë thelbësore për të shpëtuar jetë, me ç’rast QKUK, respektivisht Klinika e Hematologjisë së QKUK-së, konsiderohet Qendër referente për trajtimin e sëmundjeve të rënda të gjakut”, thuhet tutje në njoftim.