September 30, 2025
1 min read

Automjeti i vjedhur në Prizren i kthehet pronarit, policia ndalon të dyshuarin

Një automjet i vjedhur është gjetur dhe i është kthyer pronarit në Prizren, ndërsa i dyshuari për rastin është ndaluar nga Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, më 28 shtator 2025 është raportuar vjedhja e një veture të tipit VW Fugon, ngjyrë e bardhë, në fshatin Vlashnjë. Pronari kishte vërejtur më 26 shtator se automjeti nuk gjendej më në hapësirën e kompanisë së tij, ku ishte parkuar.

Pas raportimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti si “Vjedhje”.

Hetimet çuan në identifikimin e të dyshuarit, i cili rezulton të jetë i njëjti person që ishte arrestuar më herët për disa raste të vjedhjes së motoçikletave.

“Me datë 29.09.2025, i dyshuari është ndaluar me aktvendim të Prokurorit të Shtetit për 48 orë, ndërsa automjeti i vjedhur është gjetur në qytetin e Prizrenit dhe i është kthyer pronarit.

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë, do të procedojë me kallëzim penal ndaj të dyshuarit për veprën penale të vjedhjes”, thuhet në njoftimin e Policisë në Facebook.

Latest from Blog

Go toTop