July 7, 2026
1 min read

Komuna mohon mbylljen e shkollës në Leban: Nuk ka asnjë vendim zyrtar

Shqetësimet e banorëve të fshatit Leban të Prishtinës lidhur me mundësinë e mbylljes së shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Nexhmi Mustafa” janë mohuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit.

Në një përgjigje për Indeksonline, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në kryeqytet, Arianit Elshani, ka bërë të ditur se deri tani nuk është marrë asnjë vendim për mbylljen e kësaj shkolle.

“Aktualisht nuk ekziston asnjë proces apo vendimmarrje që parasheh mbylljen e institucionit arsimor, ndërsa të gjitha proceset e planifikimit dhe vendimmarrjes zhvillohen mbi bazën e vlerësimeve profesionale, nevojave të komunitetit dhe gjendjes reale në terren, në bashkëpunim me institucionet dhe akterët përkatës”, tha Elshani.

Elshani ka theksuar se, përderisa nuk ka një vendim të tillë, nuk janë planifikuar ndryshime që do të preknin nxënësit apo stafin e shkollës.

Ai shtoi se, në rast se në të ardhmen do të shqyrtohej ndonjë ndryshim në organizimin e rrjetit shkollor, qytetarët do të njoftohen me kohë dhe në mënyrë transparente përmes kanaleve zyrtare.

Sa i përket kërkesës së banorëve të Lebanit për ndërtimin e një çerdheje në fshat, Drejtoria e Arsimit ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës është duke shqyrtuar mundësitë për realizimin e një projekti të tillë. Megjithatë, sipas komunës, në këtë fazë ende nuk është caktuar një afat konkret për fillimin e zbatimit të projektit.

Latest from Blog

Go toTop