Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka pritur në takim Raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.
Abdixhiku ka thënë se kanë diskutuar për situatën politike në vend pas zgjedhjeve, procesin e certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, si dhe për domosdoshmërinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.
“Theksova se, respektimi i plotë i vullnetit qytetar dhe i standardeve demokratike mbetet thelbësor. Pas certifikimit të rezultateve, është e domosdoshme të ndërmerren hapat e nevojshëm për krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale, në shërbim të interesit të Republikës së Kosovës”, shkruan ndër të tjera Abdixhiku.
“Po ashtu vlerësova raportin e Raportuesit për Kosovën në Parlamentin Evropian, i cili nënvizon rëndësinë e avancimit të reformave, forcimit të institucioneve demokratike dhe konstituimit të institucioneve funksionale, si hapa të domosdoshëm në rrugën evropiane të Kosovës. Shpreha gjithashtu mirënjohjen time për përkrahjen e vazhdueshme që Parlamenti Evropian dhe Bashkimi Evropian i kanë ofruar Kosovës ndër vite, duke ritheksuar rëndësinë e partneritetit me institucionet evropiane në avancimin e proceseve demokratike dhe të perspektivës evropiane të vendit”.