Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka bërë të ditur se ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve në rrugën Prishtinë–Podujevë, duke theksuar se përfundimi i këtij aksi rrugor mbetet një nga prioritetet kryesore.
Sipas Bashës, pas dhjetëra takimeve me mbikëqyrësit, menaxherët e kontratave dhe operatorët ekonomikë, është arritur marrëveshje që disa pika kritike të projektit, veçanërisht urat dhe nyjet me rrezik të lartë, të përfundojnë më herët, ndërsa pjesa tjetër e punimeve është planifikuar të realizohet deri në fund të këtij viti.
Ai njoftoi se në Bardhosh, brenda kësaj jave pritet të përfundojë një pjesë e urës, çka do të mundësojë zhvillimin e qarkullimit nga Podujeva në drejtim të Prishtinës mbi urë, ndërsa drejtimi tjetër do të vazhdojë përkohësisht përmes bypass-it, deri në përfundimin e trotuarit anësor.
Basha u ndal edhe te segmenti në Vranidoll, për të cilin tha se ka shënuar ngecjet më të mëdha. Ai akuzoi operatorin ekonomik për papërgjegjësi në realizimin e punimeve dhe paralajmëroi se ministria nuk do të tolerojë më vonesa.
“Ministria do të marrë të gjitha masat e parapara me ligj për mosrespektimin e dinamikës së kontratës. Nuk do të tolerojmë më vonesa të pajustifikuara apo mashtrime”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, segmenti nga Ura e Vranidollit deri në Teneshdoll është pothuajse i përfunduar, ndërsa një pjesë e vogël e punimeve është shtyrë për shkak të gjetjeve arkeologjike, për të cilat ministria po bashkëpunon me Ministrinë e Kulturës.
“E kuptoj plotësisht frustrimin e qytetarëve që çdo ditë përballen me vonesa dhe vështirësi në qarkullim. Jam marrë personalisht dhe pa ndërprerje me këtë projekt dhe do të vazhdoj të jem vazhdimisht në terren, duke mbikëqyrur punimet e mbetura, por njëkohësisht edhe duke kërkuar përgjegjësi për çdo vonesë të pajustifikueshme”, tha Basha.
Ky është njoftimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë,
Dje isha në terren për ta parë nga afër gjendjen e punimeve në rrugën Prishtinë – Podujevë.
Që nga dita kur mora detyrën, kjo rrugë ka qenë një nga prioritetet e mia. Kam zhvilluar dhjetëra takime me mbikëqyrësit dhe menaxherët e kontratave, kam realizuar vizita të shumta në terren për t’i parë nga afër të gjitha problemet dhe kam takuar veç e veç operatorët ekonomikë, me qëllim që të gjejmë zgjidhje për secilin segment.
Pas konsultimeve intensive, kemi arritur marrëveshje me operatorët që disa pozicione kritike të përfundojnë më herët – veçanërisht urat dhe disa nyje që paraqesin rrezik të lartë – pasi prioriteti ynë është siguria dhe lehtësimi sa më i shpejtë i qarkullimit. Për pjesët e tjera është dakorduar një dinamikë e realizimit deri në fund të këtij viti.
Në Bardhosh, brenda kësaj jave pritet të përfundojë njëra pjesë e urës. Më pas, qarkullimi nga Podujeva në drejtim të Prishtinës do të zhvillohet mbi urë, ndërsa drejtimi tjetër do të vazhdojë përkohësisht përmes bypass-it derisa të përfundojë trotuari anësor i urës. Menjëherë pas përfundimit të tij, ura do të hapet me qarkullim në të dy drejtimet. Paralelisht do të sanohen edhe dëmtimet në bypass për ta lehtësuar lëvizjen e automjeteve.
Segmenti në Vranidoll është ai që ka shënuar ngecjet më të mëdha. Pavarësisht vizitave të shumta, takimeve dhe insistimit tonë të vazhdueshëm, operatori ekonomik ka treguar papërgjegjësi të vazhdueshme, si në ndërtimin e urës, ashtu edhe në punimet e tjera të këtij segmenti.
Mendoj se kemi qenë mjaftueshëm tolerantë, duke shpresuar se problemet do të zgjidheshin përmes bashkëpunimit dhe mirëkuptimit. Mirëpo, kjo periudhë ka përfunduar. Tash e tutje, Ministria do të ndërmarrë të gjitha masat e parapara me ligj për mosrespektimin e dinamikës së kontratës. Nuk do të tolerojmë më vonesa të pajustifikuara apo mashtrime.
Segmenti nga Ura e Vranidollit deri në Teneshdoll në masë të madhe është përfunduar. Kanë mbetur vetëm disa punime përmbyllëse, të cilat pritet të realizohen së shpejti.
Një pjesë e vogël e punimeve është shtyrë për shkak të gjetjeve arkeologjike. Për këtë çështje jemi në koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë e Kulturës, në mënyrë që të gjendet zgjidhja sa më shpejt dhe punimet të përfundojnë.
Te ura e Lluzhanit, në takimin e djeshëm operatori ekonomik u zotua se deri në fund të javës së ardhshme do ta lirojë një krah të urës për qarkullim. Kjo do ta lehtësojë ndjeshëm trafikun në këtë segment. Pas përfundimit të pushimeve verore do të vazhdojnë punimet në krahun tjetër të urës dhe në pjesët e mbetura të projektit.
Në segmentin e fundit, te ura mbi lumin Llap, ka pasur vonesa, por pas takimeve që kemi zhvilluar është përfunduar asfaltimi mbi urë. Kanë mbetur edhe disa punime përmbyllëse, të cilat pritet të përfundojnë së shpejti.
Me rëndësi është të theksohet se ky projekt ka edhe çështje të tjera të ngritura nga banorët e zonave të ndryshme përgjatë këtij aksi. Jam takuar personalisht me ta dhe i kemi diskutuar të gjitha shqetësimet. Së bashku me ekspertët kemi identifikuar disa zgjidhje afatshkurtra, ndërsa paralelisht do të angazhojmë një projekt të veçantë për t’i adresuar mangësitë e mbetura dhe për ta përmirësuar funksionalitetin e këtij aksi rrugor. Kjo është mënyra e vetme për t’i adresuar këto mangësi, dhe projekti do të hartohet duke marrë parasysh rekomandimet e ekspertëve dhe kërkesat legjitime të banorëve.
E kuptoj plotësisht frustrimin e qytetarëve që çdo ditë përballen me vonesa dhe vështirësi në qarkullim. Jam marrë personalisht dhe pa ndërprerje me këtë projekt dhe do të vazhdoj të jem vazhdimisht në terren, duke mbikëqyrur punimet e mbetura, por njëkohësisht edhe duke kërkuar përgjegjësi për çdo vonesë të pajustifikueshme.
Pavarësisht të gjitha sfidave, mua do të më gjeni gjithmonë duke u përballur me problemet dhe duke punuar për zgjidhjen e tyre, deri në përfundimin e plotë të kësaj rruge.