July 9, 2026
4 mins read

Pallati i Drejtësisë ende me probleme, temperaturat e larta në salla vështirësojnë mbajtjen e seancave

Temperaturat e larta në sallat gjyqësore po vështirësojnë mbajtjen e seancave në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, ndërsa në disa raste po ndikojnë edhe në shtyrjen e tyre.

Gjatë kësaj periudhe, Pallati i Drejtësisë përballet vazhdimisht me temperatura të larta, për shkak të mosfunksionimit të duhur të sistemit të klimatizimit. Ky problem, sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kërkon kosto të lartë për sanim të plotë.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Besim Spahiu, thotë se për këtë çështje ka takuar menaxhmentin e gjykatës, sekretariatin dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Megjithatë, pas kërkesës së tij, ka një sanim të vogël të klimatizimit.

“Me datë 10 qershor i jam drejtuar me shkrim menaxhmentit të gjykatës, sekretariatit dhe Këshillit Gjyqësor për mungesë të klimatizimit por nga ta nuk marrë asnjë përgjigje, kurse me datë 17 kam shkuar në Këshill Gjyqësor për të kërkuar sqarim rreth problemit ku u takova me kryesuesin e këshillit dhe më informojnë se kanë angazhuar një ekip për sanimin e problemit të klimatizimit dhe më premtojnë se brenda 20 ditësh do të rregullohet klimatizimi në një masë të konsiderueshme, pasi që për sanimin e plotë duhet kohë dhe mjete buxhetore të cilat për momentin nuk i kanë në dispozicion. Me 25 qershor kemi një sanim të vogël të klimatizimit. Unë si kryetar i sindikatës më 1 korrik jam drejtuar me kërkesë zyrtare menaxhmentit të gjykatës dhe KGJK-së duke kërkuar reduktimin e përkohshëm të orarit të punës. E përshëndes vendimin e KGJK-së, presim që këto masa të zbatohen sa më shpejt. Unë deri më tani nuk kam pranuar ndonjë njoftim zyrtar për këtë vendim”, tha Spahiu.

Për vështirësitë që po shkaktohen nga temperaturat e larta në sallat gjyqësore ka folur edhe avokati Arbër Jashari.

Ai thotë se këtë javë një seancë e paraparë të mbahej gjatë gjithë ditës në departamentin e të miturve, është bërë e pamundur të vazhdohej për shkak të kushteve në sallë, madje njëra nga palët ishte alivanosur. Seanca e njëjtë ishte shtyrë për një ditë tjetër.

Jashari bën të ditur se Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë i ka shtyrë të gjitha seancat që janë vlerësuar si jo urgjente.

Shtyrja e seancave gjyqësore sipas Jasharit, ndikon drejtpërdrejt në të drejtat e palëve në procedurë penale, duke u shkelur të drejtat e tyre.

“Hiç më larg se këtë javë e kishim një seancë që ishte e paraparë të mbahet gjatë gjithë ditës në departamentin për të mitur, por kur erdhi mesi i ditës ishte e pamundshme të qëndrohet në ato salla. Nuk është e lehtë si avokatia apo çështja e përcjelljeve të seancave, do shumë koncentrim, të jemi gjatë gjithë kohës në komoditet dhe temperaturat e larta e bëjnë të pamundur që truri të veproj. Siç thashë gjatë sesionit të pasdites, njëra prej palëve gati sa nuk u alivanos nga temperaturat e larta, ai objekt ka probleme edhe me ajrosjen, prania e oksigjenit në ato objekte është më e vogël sesa duhet.. Departamenti special i Gjykatës Themelore, pothuajse i ka shtyrë të gjitha seancat të cilat nuk janë urgjente.. 3:45 Shtyrja e seancave ndikon drejtpërdrejt në të drejtat e palëve në procedurë penale. Sa herë që një seancë shtyhet të drejtat e dikujt shkelën, të pandehurve kur janë në masën e paraburgimit, të drejtat e palës së dëmtuar”, tha Jashari.

Ndërkaq, zëdhënësja për media në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, në një përgjigje me shkrim thotë se ka një përmirësim të gjendjes sa i përket temperaturave në salla gjyqësore, ku Gjykata për momentin nuk e vlerëson të arsyeshme ndërmarrjen e masave për reduktimin ose pezullimin e punës.

“Gjykata Themelore në Prishtinë është në dijeni për vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me të cilin kryetarët e gjykatave autorizohen të ndërmarrin masa për reduktimin ose pezullimin e punës, nëse paraqitet nevoja si pasojë e temperaturave të larta. Megjithatë, në Pallatin e Drejtësisë, gjatë dy ditëve të fundit, është vërejtur një përmirësim i gjendjes sa i përket temperaturave në ambientet e punës, përkatësisht sistemi i klimatizimit ka filluar të funksionojë. Në këto rrethana, Gjykata aktualisht nuk e vlerëson të arsyeshme ndërmarrjen e masave për reduktimin ose pezullimin e punës. Megjithatë, Gjykata do të monitorojë në vazhdimësi situatën dhe, nëse paraqitet nevoja, do të zbatojë masat e përcaktuara në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së gjyqtarëve, stafit administrativ dhe palëve”, thuhet në përgjigje.

Të hënën, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka autorizuar kryetarët e Gjykatave të Supremes, Apelit, Administratives, Komerciales dhe Themelores në Prishtinë, që të ndërmarrin masa për shkak të temperaturave të larta që mbizotërojnë në Pallatin e Drejtësisë.

Tashmë iu mbetet kryetarëve të gjykatave në Pallatin e Drejtësisë, që në bazë të vlerësimit të mund të reduktojnë ose pezullojnë punën.

Latest from Blog

Go toTop