Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka rrëfyer përvojën e saj në krye të shtetit, rrethanat politike në të cilat ishte zgjedhur presidente, si dhe përgjegjësitë me të cilat ishte përballur gjatë mandatit të saj pesëvjeçar.
Duke folur në kuadër të “Prishtina International Summer University” për lidershipin, fuqizimin e grave, paqen dhe rolin që luajnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të fortë, Jahjaga tha se vendimi për ta pranuar kandidaturën për presidente nuk ishte marrë mbi bazën e interesave personale, por për shkak të krizës politike dhe nevojës për stabilitet institucional.
Ajo rikujtoi rrethanat në të cilat u zgjodh presidente
Ajo tregoi se për shkak të pamundësisë së subjekteve politike për të siguruar votat e nevojshme për kandidatët e propozuar, ishte kërkuar një kandidat konsensual, me integritet dhe përvojë të dëshmuar në shërbimin publik.
Jahjaga tha se emri i saj ishte përfshirë në mesin e kandidatëve për shkak të përvojës së gjatë në Policinë e Kosovës.
Një nga kërkesat e saj të vazhdueshme, sipas Jahjagës ishin interesi publik dhe shtetëror e jo interesi personal.
Gjatë mandatit të saj, Jahjaga kishte vendosur që kabineti presidencial të kishte përfaqësim të lartë të grave dhe të rinjve. Fillimisht, synimi i saj ishte që gjysma e kabinetit të përbëhej nga gra, ndërsa më vonë përfaqësimi i tyre kishte arritur në mbi 70 për qind.
Jahjaga vlerësoi se mandati i saj kishte ndikuar edhe në fuqizimin e rolit të grave në jetën institucionale dhe politike të Kosovës.
Atifete Jahjaga ishte zgjedhur presidente e Kosovës në vitin 2011 dhe e kishte ushtruar këtë detyrë deri në vitin 2016. Ajo ishte gruaja e parë dhe personi më i ri që mori drejtimin e shtetit të Kosovës.