Një fëmijë trevjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pasi u kafshua në fytyrë nga një qen i racës Dachshund në Hamburg të Gjermanisë.
Ngjarja ka ndodhur në një shtëpi në pjesën perëndimore të Hamburgut, derisa fëmija po luante me qenin, i cili ndodhej në shportën e tij.
Në një moment, qeni e sulmoi trevjeçarin, duke i shkaktuar lëndime serioze në anën e djathtë të fytyrës dhe në syrin e djathtë.
Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes intervenuan policia, ekipet e ndihmës së shpejtë dhe një mjek urgjence, të cilët i ofruan ndihmën e parë fëmijës.
Më pas ai u transportua me autoambulancë në Qendrën Mjekësore Universitare Hamburg-Eppendorf (UKE), ku po trajtohet në repartin e pediatrisë.
Sipas mediave gjermane, trevjeçari bërtiste nga dhimbjet gjatë transportimit për në spital.
Në momentin e incidentit në shtëpi ndodhej edhe nëna e fëmijës, e cila, sipas raportimeve, pësoi gjendje shoku pas sulmit.
Në portën e kopshtit të shtëpisë ishte vendosur një tabelë paralajmëruese me mbishkrimin “Kujdes Qeni kafshon”, ndërsa raportohet se pronari mban disa qen, megjithatë autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.