Kanë filluar zyrtarisht punimet për ndërtimin e rrugës që do të lidhë Tetovën me Prizrenin. Traseja e rrugës do të kaloj përmes fshatrave të malësisë së Tetovës deri në fshatin Veshallë, ku planifikohet të bëhet lidhja me tunel.
Autoritetet lokale e vlerësojnë hapjen e kësaj rruge, si një arterie të veçantë me interes kombëtar dhe ekonomik.
“Kjo pjesë e korridorit Tetovë-Prizren është e rëndësishme sepse me këtë po nisin punimet në terren për realizimin e këtij projekti mbarëkombëtar. Besojmë se edhe me projektimin e tunelit ëndrra e shqiptarëve për tu lidhur përmes Sharrit po bëhet realitet”, ka thënë Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës
Ndërkohë, Ministria e Transportit në Maqedoninë e Veriut, njofton se aktualisht po punohet edhe për projektimin e tunelit që do të lidh rrugën Tetovë-Prizren, pas së cilit vjen procesi I sigurimit të fondeve për ndërtim.
Pas ndërtimit të plotë të kësaj rruge, distanca rrugore nga rreth tri orë sa është aktualisht përmes pikave ekzistuese kufitare, do të shkurtohet në vetëm 40 minuta. Ky shkurtim i kohës do t’i japë një hov të fuqishëm ekonomisë, shkëmbimeve tregtare dhe turizmit malor në të dyja anët e kufirit.