Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë.
Sveçla e ka cilësuar këtë deklaratë si vazhdimësi të retorikës së vjetër politike ndaj shqiptarëve, duke e quajtur të papranueshme dhe të dënueshme.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai ka bërë thirrje që deklarata të tilla të dënohen nga shtetet dhe shoqëritë demokratike.
Gjithashtu, Sveçla ka njoftuar se ka marrë vendim që Paunoviq të shpallet “persona non grata” dhe t’i ndalohet hyrja dhe tranziti në territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas tij, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë sovranitetin, rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit, ndërsa çdo përpjekje për rikthimin e ideologjive të spastrimit etnik do të përballet me masa institucionale, /Demantim News/.