Policia e Durrësit ka arrestuar një 45-vjeçar, i dyshuar për vjedhje me forcë në një farmaci, ndërsa rezulton se kishte precedentë të mëparshëm për të njëjtën vepër penale.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në një farmaci në lagjen nr. 12 të Durrësit, ku sipas policisë, 45-vjeçari ka marrë me forcë një shumë parash dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas kallëzimit të bërë nga punonjësja e farmacisë, autoritetet kanë nisur menjëherë veprimet hetimore, duke bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit vetëm pak orë pas rastit, raporton Demantim News.
Sipas pamjeve të publikuara nga policia, i dyshuari shihet duke hyrë me shpejtësi në farmaci, duke ushtruar forcë ndaj farmacistes dhe më pas duke marrë paratë nga sirtari para se të largohej.
Policia bëri të ditur se i arrestuari, me inicialet G. Gj., 45 vjeç, banues në Durrës, kishte thyer edhe masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar më herët nga gjykata për të njëjtën vepër penale.
Ndaj tij janë referuar materialet në Prokurorinë e Durrësit për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Ndërkohë, hetimet po vazhdojnë për të zbardhur nëse 45-vjeçari mund të jetë i përfshirë edhe në raste të tjera të vjedhjeve.