July 15, 2026
1 min read

Tmerr në Gjermani, burri sulmon me thikë gruan në mes të qytetit

Një grua ka humbur jetën pas një sulmi me thikë në qendër të qytetit Kelkheim, në Gjermani, ndërsa i dyshuari për rastin është bashkëshorti i saj.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës, rreth orës 21:00, në zonën e rrugës “Frankfurter Straße”, pranë sheshit qendror të qytetit, ku në atë moment kishte shumë qytetarë dhe kalimtarë.

Sipas raportimeve të mediave gjermane, burri dyshohet se e ka sulmuar gruan në mes të qytetit, ndërsa disa kalimtarë kanë ndërhyrë menjëherë duke e ndaluar dhe mbajtur nën kontroll deri në ardhjen e policisë.

Forcat e rendit kanë arrestuar të dyshuarin në vendngjarje, ndërsa ai ka marrë ndihmë mjekësore për disa lëndime të lehta të pësuara gjatë ndërhyrjes së qytetarëve. Gruaja, megjithatë, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka vdekur në vendngjarje, raporton Demantim News.

Pas incidentit, policia ka bllokuar zonën dhe ekipet kriminalistike kanë nisur hetimet për mbledhjen e provave dhe intervistimin e dëshmitarëve.

Autoritetet kanë angazhuar edhe ekipe të mbështetjes psikologjike për personat që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes, pasi sulmi ndodhi në një zonë të frekuentuar të qytetit.

Motivi i këtij krimi ende nuk është bërë i ditur. Hetuesit po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të rastit dhe për të kuptuar nëse mes çiftit kishte pasur konflikte të mëhershme.

Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për vrasje, ndërsa i dyshuari do të përballet me procedurat e mëtejshme ligjore. Deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, ai konsiderohet vetëm i dyshuar.

Latest from Blog

Go toTop