Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snezhana Paunoviq, ka kërkuar falje ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut, pas deklaratës së saj për “spastrimin etnik të Kosovës”, e cila shkaktoi reagime të shumta.
Paunoviq ka pretenduar se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe se nga intervista ishte shkëputur vetëm një pjesë e shkurtër, duke u kthyer në një çështje politike.
Megjithatë, në intervistën e dhënë për “Kurir TV”, ajo dëgjohet duke deklaruar se, po të ishte në vend të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
“Kjo ishte historia ime, jo një deklaratë politike. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit apo e qeverisë”, ka thënë Paunoviq në një intervistë për “Informer TV”.
Ajo ka sqaruar se, sipas saj, e kishte fjalën për largimin e personave që nuk e konsideronin veten pjesë të Republikës Federale të Jugosllavisë, ndërsa ata që do të kryenin “veprime terroriste” do të trajtoheshin si terroristë.
Deklarata e ministres serbe u kritikua nga organizata të shoqërisë civile dhe opozita në Serbi, të cilat kërkuan edhe shkarkimin e saj nga detyra. Reagime pati edhe nga Bashkimi Evropian, ku u theksua se nuk ka vend për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq u distancua nga deklarata e saj, duke thënë se ajo nuk përfaqëson politikën e presidencës apo të Qeverisë së Serbisë.
“Politika jonë bazohet në dialog, kompromis, paqe dhe stabilitet, e kurrë në spastrim etnik”, ka deklaruar Vuçiq.
/Demantim News/