Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviq për deklaratat e saj lidhur me “spastrimin etnik të Kosovës”.
Gërvalla tha se Kosova nuk do të heshtë ndaj gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së përçarjes, duke theksuar se deklaratat që justifikojnë spastrimin etnik kanë pasoja të rënda historike dhe juridike.
Ajo u shpreh se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, duke përmendur vrasjet, dëbimet dhe shkatërrimet e shkaktuara gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Sipas saj, përmes kallëzimit penal është kërkuar nga Prokuroria që të ndërmarrë veprime hetimore dhe të procedojë rastin sipas kompetencave ligjore.