Një tërmet me magnitudë 5.0 ka goditur pjesën lindore të Turqisë, duke shkaktuar lëkundje të forta në disa zona të rajonit. Sipas të dhënave të Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), epiqendra e tërmetit është regjistruar në distriktin Battalgazi të provincës Malatya, ndërsa lëkundjet janë ndjerë edhe në qytetet përreth.
Tërmeti është regjistruar në një thellësi prej rreth 15 kilometrash nën sipërfaqen e tokës, ndërsa banorë të disa provincave, përfshirë Elazığ, Adıyaman, Tunceli dhe Şanlıurfa, raportuan se kanë ndjerë fuqinë e lëkundjeve.
Deri në orët e fundit, autoritetet turke kanë bërë të ditur se nuk ka raportime për viktima apo dëme të mëdha materiale. Ekipet e emergjencës kanë dalë në terren për të kryer kontrolle në ndërtesa dhe për të verifikuar nëse ka pasoja të shkaktuara nga tërmeti.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të kujdesshëm dhe të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare, pasi rajonet lindore të Turqisë janë ndër zonat me aktivitet të lartë sizmik.
Turqia vazhdon të përballet me rrezik të lartë nga tërmetet për shkak të pozitës së saj gjeologjike, ndërsa autoritetet kanë rritur masat e monitorimit dhe përgatitjes pas tërmeteve të fuqishme të viteve të fundit.