Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, pas deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila ka thënë se, në vend të Sllobodan Millosheviqit, do të kishte kryer “spastrim etnik” në Kosovë.
Në letrën e tij, Konjufca ka vlerësuar se reagimi dhe distancimi i mëvonshëm i autoriteteve serbe nga deklarata e ministres ka qenë vetëm formal dhe nuk ka reflektuar një pendesë të sinqertë.
Ai ka shprehur shqetësim edhe për reagimin e vonuar të Bashkimit Evropian, duke kërkuar një qëndrim më të prerë ndaj deklaratave që, sipas tij, nxisin urrejtje dhe dëmtojnë procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Konjufca i ka kërkuar Kallasit që BE-ja të dënojë publikisht deklaratën e Paunoviqit dhe t’ua bëjë të qartë autoriteteve serbe se një retorikë e tillë nuk përputhet me vlerat evropiane dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
“BE-ja duhet të japë një dënim të qartë, të fuqishëm dhe publik ndaj deklaratës së ministres Paunoviq dhe retorikës revizioniste që ajo përfaqëson”, ka shkruar Konjufca.

Ai ka kërkuar gjithashtu që kjo çështje të trajtohet në kuadër të dialogut politik mes BE-së dhe Serbisë, si dhe gjatë procesit të anëtarësimit të Serbisë në Union, në mënyrë që Beogradi ta kuptojë seriozitetin me të cilin trajtohen deklarata të tilla.