Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që rezervat shtetërore të furnizohen me grurin e fermerëve vendorë, duke kundërshtuar importin e grurit me kosto të lartë.
Sipas AKB-së, fermerët kosovarë po përballen me mungesë tregu, kapacitete të pamjaftueshme për deponim dhe çmime të ulëta prej 16 deri në 18 centë për kilogram, çka po e vështirëson shitjen e prodhimit të tyre.
AKB ka rikujtuar se blerja e grurit të importuar për rezervat shtetërore ka qenë objekt hetimesh nga organet e drejtësisë, ndërsa ka kërkuar që këtë vit prioritet t’i jepet prodhimit vendor.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se Kosova nuk duhet të importojë atë që fermerët e saj e prodhojnë me mund dhe sakrificë.
“Nëse shteti ka nevojë për grurë për rezervat strategjike, zgjidhja më e drejtë ekonomike është ta blejë atë nga fermerët tanë. Kjo është në interes të buxhetit, prodhuesve dhe qytetarëve të Kosovës”, tha Shahini.
AKB ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa urgjente për grumbullimin e grurit vendor, zgjerimin e kapaciteteve depozituese dhe krijimin e një tregu të qëndrueshëm për prodhuesit kosovarë, raporton /Demantim News/.