Një konflikt i vjetër për një pronë në Kosovë ka përfunduar me një përleshje të dhunshme mes dy familjeve në Schlieren të Zvicrës, ku ka ndërhyrë policia dhe janë lënduar disa persona.
Sipas mediave zvicerane, një 59-vjeçar nga Kosova kishte një mosmarrëveshje të gjatë pronësie me një familje tjetër. Ai dyshohet se shkoi në shtëpinë e tyre për t’u përballur me ta, por situata u përshkallëzua në dhunë.
Gjatë përleshjes, sipas aktakuzës, u përdorën edhe mjete të forta, ndërsa policia ndërhyri për të ndaluar konfliktin. Për shkak të rezistencës gjatë arrestimit, ndaj 59-vjeçarit u përdor edhe elektroshoku.
Si pasojë e përleshjes, ai dhe një 25-vjeçar u dërguan në spital me lëndime të rënda.
Prokuroria e Zürichut ka dënuar 59-vjeçarin me gjobë me kusht dhe shpenzime gjyqësore për kërcënim, përleshje dhe rezistencë ndaj policisë. Edhe 25-vjeçari është dënuar për përfshirje në konflikt, ndërsa procedura për një të mitur të përfshirë vazhdon në gjykatën për të mitur. /Demantim News/